Komisioni i ri Qendror i Zgjedhjeve: a do te votojne dhe emigrantet?


Në Shqipëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kompletoi sot strukturën e re drejtuese, me nisjen nga puna të anëtarëve të Komisionit Rregullator dhe Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, të zgjedhur nga parlamenti

Ndërsa nga zgjedhjet e ardhshme të 25 Prillit, ndajnë pak më shumë se 6 muaj, Komisionit të Zgjedhjeve do t’i duhet të përballojë një volum të lartë pune. Përveç përgatitje së një morie aktesh në zbatim të ndryshimeveve të bëra në Kodin Zgjedhor, sfida e këtij institucioni të ri duket se do të jetë përfshirja e teknologjisë në procesin e votimit.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi sot gjatë prezantimit të anëtarëve të dy institucioneve të reja të administrimit të zgjedhjeve, se puna ka nisur menjëherë me përgatijen e urdhërit për ngritjen e një grupi të posaçëm pune, për të vijuar më pas me aktet e nevojshme për ecurinë e procesit.

“Për sa kohë një pjesë e politikës e shikon si një aspekt që lidhet ngushtësisht me integritetin e procesit zgjedhor, Komisioni ka të gjithë fokusin e duhur tek kjo çështje”, u shpreh zoti Celibashi. Ai shtoi se “ky është një proces mjaft kompleks dhe kërkon angazhimin e disa faktorëve dhe jo vetëm të institucionit të KQZ-së. Qeveria shqiptare ka një përgjegjësi të spikatur në lidhje me këtë cceshtje. Ne jemi në kontakt dhe besoj gjatë kësaj jave do të kemi zhvillime edhe më konkrete”.

Komisioni i Zgjedhjeve pritet të vlerësojë dhe mundësinë e përfshirjes për herë të parë edhe të emigrantëve në procesin e ardhshëm zgjedhor