Këta janë qentë që dallojnë personat e infektuar me Covid


skylia__4_

Qentë mund të dallojnë se kur një njeri është me koronavirus. Studiuesit kanë zbuluar se qentë mund të zbulojnë me anë të erës së djersës nëse një person mbart COVID-19. Nga testimet e bëra ka rezultuar një sukses 100%.

Trajnimi i qenve për zbulimin e koronavirusit po kryhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kili, Argjentinë, Brazil dhe Belgjikë. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, qentë gjurmues gjenden tashmë edhe në aeroporte duke ndihmuar në uljen e përhapjes së pandemisë.

Studiuesit kanë zbuluar se qentë e stërvitur mund të zbulojnë bartës të sëmundjes, edhe kur janë asimptomatikë dhe rezultati u verifikua më vonë nga testet molekulare. Qentë kanë rreth 220 milionë receptorë të aromës.

Sipas ekspertëve, trajnimi i qenve për të zbuluar SARS-CoV-2 zgjat 6-8 javë, pasi qeni tashmë është trajnuar për të zbuluar substanca të caktuara. Ekspertët vlerësojnë se qentë mund të angazhohen në operacione në aeroporte, shtëpi pleqsh dhe hapësira publike pa rrezikun e infektimit të tyre ose transmetimit të infeksionit. ©LAPSI.al