Krim i rëndë në familjen shqiptare në Zvicër, vajza vret babain


Një krim i rëndë ka tronditur Zvicrën. Ngjarja tronditëse u regjistrua në një familje shqiptare me origjinë nga Kosova. Pas një sherri në familje, vajza 18-vjeçare ka qëlluar për vdekje babanë e saj 47-vjeçar.

Sipas gazetës më të madhe zvicerane, Blick, gjithçka u mësua në orën 7 të mëngjesit, kur në polici u raportua për një sherr të dhunshëm në një apartament në Cyrih.


Në vendin e ngjarjes, shërbimet e emergjencës gjetën një burrë të plagosur rëndë dhe dy femra të plagosura. Sipas policisë, bëhej fjalë për babanë, mamanë dhe vajzën e tyre.

47-vjeçari Valentin T. nuk mbijetoi dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Dy femrat, nëna Marina T. dhe vajza Jasmina T. u dërguan në spital.

Policia ka konfirmuar se vajza ka hapur zjarr ndaj babait. Se si ka ndodhur sherri, kjo nuk është sqaruar akoma. Jasmina është arrestuar.

Gazeta shkruan se vazhdon të mbetet mister se përse ka ndodhur krimi i rëndë.

Ajo ka intervistuar miq dhe të afërm të familjes, që thonë se janë të shokuar. Sipas tyre, ajo ishte një familje e shëndetshme dhe nuk kishte shfaqur probleme. Edhe ditën e ngjarjes, thuhet se viktima ishte në humor të mirë.

Djali i familjes, Florini tha për gazetën: “Nuk di asgjë. Është më e keqja që mund të ndodhte. U largova nga shtëpia herët në mëngjes. Përpara se të ikja, putha babanë”. Më pas ai shkoi të takonte xhaxhanë në burg.

Viktima ishte larguar nga Kosova drejt Zvicrës kur ishte 17 vjeç. Ai kishte kryer punë të ndryshme. Së fundmi bashkë me gruan kishte ngritur një kompani makinash.

Miku i tij i ngushtë, Albert F. tha se Valentini ishte si një vëlla për të.

“Të mërkurën erdhi te restoranti im. Ishte i lumtur. Ishte një njeri i mirë. Gjithmonë krenohej me faktin se vajza dhe djali shkonin shumë mirë. Ai gjithmonë e thërriste ‘zemër’ gruan e tij. Ishte njeri i dashur me gruan dhe familjen,” tha ai.

Edhe puna në biznes po i shkonte mirë.

Mesazhi i fundit i Valentinit përpara tragjedisë ishte për një shokun e tij, Paulinin. “Xhaxhai im po të pret,” me një zemër në fund.