Gjykata Speciale sqaron arrestimet në Kosovë, veteranët e UÇK-së dispononin dokumente konfidenciale në dëm të trupës ndërkombëtare


Dhomat e Specializuara për Krime Lufte në Kosovë e kanë arsyetuar si të drejtë operacionin për bastisjen e zyrave të organizatës së veteranëve të UÇK-së. Aksioni çoi në arrestimin e kryetarit të organizatës dhe nënkryetarit të saj por u konsideruar i panevojshëm nga aktorët politikë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe vartësi i tij, Nasim Hardinaj, u arrestuan të premten me bujë në emër të Gjykatës për Krime Lufte në Kosovë.


Mësohet se shkak për bastisjen e zyrave të organizatës nga forcat e EULEX-it u bënë daljet e tyre mediatike të javëve të fundit, ku dy veteranët e luftës njoftuan se disponojnë dokumente konfidenciale në dëm të trupës ndërkombëtare të Gjykatës Speciale që po i gjykon ata.

Arrestimet u justifikuan të premten para mesnate nga gjykatësit dhe prokurorët e specializuar.

“Z. Gucati është penalisht përgjegjës për frikësimin e dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. Në tri konferencat e datave 7, 16 dhe 22 shtator, ai u shpërndau medieve informacione, emra dhe detaje personale të dëshmitarëve të mundshëm, duke i vënë ata në rrezik. Arrestimi i tij është i nevojshëm prej rrezikut të arratisjes pasi ka qenë në dijeni të krimeve të kryera, ka akses në fondet e konsiderueshme të shoqatës, ka lidhje me shërbimin policor dhe informativ, dhe mund të udhëtojë në vende që nuk e kanë për detyrim dorëzimin e tij për gjykim në Dhomat e Specializuara.”

Kryerja e të njëjtave vepra penale në bashkautorësi besohet se çoi edhe në shoqërimin drejt Hagës të nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinajt.

Pak para arrestimit, veterani i luftës së bashku me sekretarin dhe kryetarin tashmë në detyrë të organizatës, Faton Klinaku, e denoncuan si të kundërligjshme urdhrin e Gjykatës Speciale.

Aksioni i EULEX-it në zyrat e OVL-UÇK-së zgjati për më shumë se tetë orë dhe prokurorët e specializuar mundën të konfiskojnë si prova disa nga kompjuterët e organizatës.

Grupet e mëdha politike të udhëhequra në shumicë nga ish-pjesëtarë të luftës çlirimtare ndaj Serbisë e konsideruan të panevojshme bastisjen e papritur të forcave ndërkombëtare.

“Veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Kjo drejtësi speciale është e obliguar që t’i përmbahet dhe të veprojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe t’i respektojë të drejtat e të gjithëve. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakolare,” reagoi presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Nga 24 qershori, kreu i shtetit, së bashku me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, dhe 100 ish-luftëtarë të tjerë të UÇK-së, përballet edhe personalisht me aktakuzën për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në konfliktin e armatosur me Serbinë.