Kosova: Harroni Beogradin! Shihni Tajvanin, por edhe Spanjën +4


Genc_Pollo

GENC POLLO 

Kritikët e marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë mes Kosovës e Serbisë, më së shumti qortojnë mungesën në tekst të zotimit serb për njohjen zyrtare të Kosovës. Njohja diplomatike e ndërsjellë mes Prishtinës e Beogradit do të ishte gjëja reale, e cila do të mundësonte në vijim normalizimin politik, ekonomik e shoqëror.Siç kemi vënë në dukje, Presidenti serb mund ta hidhte këtë hap vetëm me çmimin e copëtimit të Kosovës, gjë që javën e shkuar në Uashington, fatmirësisht, u varros njëherë e mirë. Vuçiç gjithashtu është pozicionuar se nuk e pranon anëtarësimin në BE me kushtin e njohjes së Kosovës së pavarur. Duke qenë se anëtarësimi do të marrë vite shumë të gjata, edhe në rastin me jo shumë gjasë që një udhëheqës serb nesër të ketë atë plotfuqi si Vuçiç sot dhe të ndërrojë mendje e zemër për Kosovën, prapë njohja do të presë pikërisht vite shumë të gjata. Amerika nuk ka për të nisur një luftë tjetër për të detyruar njohjen e Kosovës: vizionin dhe cakun e angazhimit të saj i bëri të njohura në Shtëpinë e Bardhë. Ndryshimi i mundshëm i administratës pas presidencialeve të këtij nëntori nuk ka pse të ndryshojë rrënjësisht këtë politikë. Nga takimi i parë i dialogut të rinisur këtë javë mes Kryeministrit kosovar e Presidentit serb në Bruksel, temat e bisedës ishin çështje të diskutuara edhe më herët në këtë dialog, që ka filluar në vitin 2011. Në rastin fatlum do të bihet dakord sërish e do të zbatohen realisht çështje të ndryshme të imponuara nga historia e fqinjësia. Por njohja nuk duket në horizont. Përjashto këtu ndonjë mrekulli hyjnore apo forcë madhore, të cilat nuk kam aftësi t’i parashikoj.

NEWBORN monument Pristina, Kosovo | Albania holidays, Pristina, Kosovo

Politikanët vendimmarrës lënë gjurmë jo kur insistojnë në pretendime moralizuese, të cilat mbeten të papërmbushura, por kur njohin realitetin dhe veprojnë me ambicie për të arritur kulmin e së mundshmes.

Tajvani që nga mesi i shekullit 20 nuk ka iluzione se do të njihet zyrtarisht nga Republika Popullore e Kinës dhe as se Pekini do t’i lejojë anëtarësimin në OKB. Por kjo nuk i ka penguar tajvanezët të ndërtojnë një shtet demokratik, me qeveri llogaridhënëse dhe një ekonomi të avancuar, duke e ngritur një provincë, dikur rurale, në vendin e 17-të më të pasur në botë.

Mbase modeli i Tajvanit mund të shërbente për Kosovën duke e bërë të mos harxhojë kapital politik për njohjen nga Beogradi, por të fokusohet në zhvillimin e vendit. Dhe Kosova krahasuar me Tajvanin është e favorizuar. Ndërsa Tajvani njihet zyrtarisht nga një gjysmë duzinë shtetesh minore, Kosova njihet nga të tëra vendet e G7-ës, demokracitë udhëheqëse të planetit dhe mbi njëqind shtete anëtare të OKB-së.

Tajvani e ka Kinën gjigante e lakmitare vetëm një ngushticë larg, kurse Amerika mbrojtëse është matanë oqeanit. Ndërsa Kosova është një enklavë e NATO-s, kufizohet me tri shtete të kësaj aleance dhe ndodhet brenda Bashkimit Europian.

Po ashtu, sipas marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë, Kosova do të ndërpresë për një vit përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Në fakt, pas dështimit me Interpolin e UNESCO-n, kështu do të lipsej të bënte pasi shanset nuk janë të mira. Edhe avantazhet e anëtarësimit, hiq mënjanë simbolikën e sovranitetit, nuk janë domethënëse. Urdhërarrestet për Interpolin procesohen përmes UNMIK-ut, kurse në UNESCO përfitimi mbetej abstrakt (Shqipëria prej 60 vjetësh anëtare arriti të kishte disa site të trashëgimisë botërore, por nuk mundi të mbrojë Teatrin Kombëtar nga barbaria e qeverisë së vet). Marrëveshja amerikane nuk e pengon Kosovën të synojë njohje dypalëshe të tjera. Por edhe sikur Prishtina të arrijë dhjetë apo njëzetë njohje nga shtete si Burundi a Kiribati, nuk më duket se do të kishte përfitim të madh. Udha për në OKB kalon nga Këshilli i Sigurimit me Kinën e Rusinë brenda; të tjerat nuk duken relevante. Madje, na kursejnë anekdotat me dy ministrat e Jashtëm që, me çantë të zezë në dorë, bredhin njëri pas tjetrit në Afrikë e Oqeani.

Por ndoshta njohja së fundmi nga Izraeli mund të sugjerojë një objektiv tjetër. Arsyeja pse Jerusalemi kishte hezituar deri tashti të njihte Kosovën ishte druajtja nga precedenti i provincës secesioniste dhe të efektit të saj në Bregun Perëndimor. Me kuptimin e unicitetit të rastit të Kosovës dhe me këshillën me peshë të Presidentit amerikan, Izraeli e ktheu faqen. Me shumë rëndësi për Kosovën do të ishte po ta kthenin faqen edhe pesë shtetet anëtare të Bashkimit Europian, të cilat ende nuk e njohin atë (Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia e Qipro). Edhe për ta, shqetësimi real është ai i precedentit të provincës secesioniste, pasi secili prej tyre e ka një hall si Izraeli. Shumë më pak rol luan miqësia historike me Serbinë e disave syresh, pavarësisht nga çfarë thonë narrativat gjysmëfolklorike.

Nëse Kosova do të arrinte të mobilizonte Quintin, pra SHBA-në, Gjermaninë, Francën, Britaninë e Italinë për të dhënë shpjegimet e garancitë e duhura kësaj pesësheje europiane e të përftonte njohjen e tyre, atëherë avantazhi do të ishte madhor për të. Më së pakti do të eliminohej një pengesë formale për anëtarësim në BE

Leave a Reply

Please log in using one of these methods to post your comment:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s