Cfare eshte diploma juris doctor(J.D)


Nga Apostol ED Prelaj

Diploma Juris Doctor (J.D.) është një “doktoraturë” profesionale dhe diploma e nivelit të parë në Drejtësi. Diploma përftohet pas përfundimit të një shkolle ligji të akredituar në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Australi, dhe vende të tjera që ndjekin parimet e sistemit juridik të “Common Law”. Shumica e të diplomuarve me Juris Doctor janë individë që praktikojnë profesionin e avokatit, por kjo diplomë është e vlerësuar edhe në fusha të tjera, si biznesi.

Në mënyrë që të ushtrojnë profesionin e lirë të avokatit dhe të paraqiten përpara gjykatave në Shtetet e Bashkuara, individët që kanë përftuar diplomën J. D. duhet të kalojnë Provimin e Avokatisë të shtetit ku ato dëshirojnë të ushtrojnë aktivitetin.
Kjo diplomë u lëshua për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fund të shekullit të 19-të dhe u krijua si një version modern i doktoraturave të vjetra Evropiane në Ligj (të tilla si Dottore in Giurisprudenza në Itali dhe Juris Utriusque Doctor në Gjermani dhe në Evropën Qendrore). Si pasojë e lëvizjes Harvardiane për studimin shkencor të ligjit në fund të shek. 19, J.D. është kthyer në Diplomën kryesore në përgatitjen profesionale të avokatëve të ardhshëm. Në shumicën e juridiksioneve, J.D. përfshin një program trevjeçar studimi.
Deri disa vite më parë, vetëm shkollat e ligjit në Shtetet e Bashkuara ofronin diplomën Juris Doctor. Duke filluar nga viti 1997, universitetet në vendet e tjera filluan të përdorin J. D. si diplomën e parë profesionale në ligj, të modifikuar me dallimet e nevojshme për t’iu adaptuar sistemeve ligjore të vendeve përkatëse
Si një “doktoraturë” profesionale, diploma e Juris Doctor shërben për të përgatitur studentin për t’u pranuar në profesionin e juristit (në të njëjtën mënyrë sesi në ShBA M. D. shërben për tu pranuar në profesionin e mjekut dhe D. D. S në atë të dentistit). Ndërkohë që në ShBA Juris Doctor është diploma e vetme e nevojshme për t’u futur në profesion ose në akademi, ajo nuk cilësohet si një “doktoraturë” kërkimore. Në sistemin Anglosakson, doktoraturë kërkimore, e njëhsueshme me titullin Doktor i Shkencave në Shqipëri, cilësohet programi Doktor i Shkencave Juridike (S.J.D. ose J. S. D.), e cila zakonisht kërkon përfundimin e J.D. dhe të LL.M. (Master në Drejtësi) si një parakusht.
Departamenti i Arsimit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Fondacioni Kombëtar i Shkencës nuk përfshijnë J. D. ose “doktoraturat” e tjera profesionale në mesin e diplomave që janë ekuivalente me doktoraturat kërkimore. Midis programeve në Drejtësi, ato i njohin këtë status vetëm programit Doktor i Shkencave Juridike. Në Evropë, Këshilli Kërkimor Evropian ndjek një politikë të ngjashme, duke njëhsuar gradën J.S.D. me titullin Doktor i Shkencave.
Pavarësisht nga emri i diplomës, bartësi i një J. D. nuk është i lejuar që të përdori titullin “Doktor”. Shumica e shteteve Amerikane ndalojnë përdorimin e titullit “Doktor” nga avokatët me J.D., pasi ekziston mundësia e konfuzionit të publikut mbi kualifikimet e avokatit (p.sh. publiku mund të formojë përshtypjen se avokati është gjithashtu i trajnuar si mjek).
Shembull i një Diplome të nivelit Juris Doctor.