Shqipëri, 5 në pranga për korrupsion, mes tyre një gjyqtare e një avokat


Një operacion policor i drejtuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, SPAK, çoi të mërkurën në arrestimin e 5 personave, mes të cilëve dhe njerëz të Drejtësisë. Nën akuzën e “korrupsionit pasiv” në arrest shtëpie ka përfunduar gjyqtarja e Apelit Korçë Mimoza Margjeka si dhe avokati Skënder Demiraj, ky i fundit i akuzuar për “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Ndërsa arrest më burg është dhënë për Arben Carën, Dekanin e Fakultetit Juridik në Unversitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”, i cili është dhe bashkëshort i gjyqtares. Ai akuzohet për ““Korrupsion pasiv”. Me të njejtën masë, por për veprën penale ““Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kanë përfunduar në qeli dhe Nejton Bali dhe Klaudio Zhilla, këta të fundit në rolin e ndërmjetësave.

Giithshka lidhet me nje vendim të gjykatëses Margjeka e cila lehtësoi masën e sigurisë për një të dënuar, duke e nxjerrë atë nga qelia pas një garancie pasurore. Për këtë vendim, ajo, sipas njoftimit të policisë kishte marrë 6 mijë euro nga Nejton Bali, vëllai i të dënuarit që përfitoi ndryshimin e masës së sigurisë.

Bali, siç bën të ditur policia, kishte pajtuar si avokat mbrojtës për vëllanë e tij Skënder Demirajn,”i cili me njohjen që kishte me bashkëshortin e gjyqtares, ka ndikuar kundrejt shumës së mësipërme që gjyqtarja të bënte ndryshimin e masës së sigurisë”. Në këtë çështje është përfshirë dhe Klaudio Zhilla. Ky i fundit, sipas policisë “mbi bazën e njohjes që kishte me avokatin dhe bashkëshortin e gjyqtares, ka ndërmjetësuar takimet midis gjyqtares, avokatit dhe sekserit në ambientet e hotelit të tij në Korçë, vendi ku i kanë dorëzuar bashkëshortit të gjyqtares shumën e eurove, duke i premtuar se bashkëshortja do të bënte ndryshimin e masës së sigurisë”.