Emigrantët me Covid i vënë zjarrin kampit më të madh të refugjatëve në Greqi


Kampi më i madh i emigrantëve në Greqi është shkatërruar nga një zjarr masiv, që besohet se është nisur nga azilantë me koronavirus që refuzonin izolimin bashkë me familjet.

Kampi i Moria në ishullin e Lesbos, u shkatërrua tërësisht nga zjarri i nisur rreth orës 2.00 të mëngjesit, tha ministri i emigracionit dhe deri në mesditë nuk kishte raportime për viktima.

Zhvillimi vjen pasi raste të koronavirusit u zbuluan fillimisht javën e kaluar që tashmë kishin arritur në 35.

Mediat greke raportonin se stafi i kampit po zhvendoste të infektuarit në izolim bashkë me familjet e tyre, para nisjes së përplasjeve që me sa duket shkaktuan zjarrin.

Gjendja e emergjencës është shpallur në Lesbos mes frikave se rreth 12,000 emigrantë që jetonin në kamp mund të përhapin sëmundjen duke u larguar drejt fshatrave fqinje.

Zëdhënësi qeveritar Stelios Petsas paralajëmroi se autoritetet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të gjurmuar e izoluar dhjetra të konfirmuar me koronavirus.

“Ka të paktën 35 raste pozitive që duhet të izolohen, për të parandaluar përhapjen te popullata vendase”, tha Petsas për rrjetin lokal TV ERT.

Mëngjesin e sotëm kampi ishte një rrënojë e shkrumbuar tendash e konteinerësh, teksa disa njerëz shiheshin duke kërkuar me mbetjeve për objektet e tyre.