“Marre, marre”/ Vdekja e të moshuarit në plazhin e Velipojës, pushuesit bërtasin pasi ambulanca u vonua një orë


Vdekja e pushuesit nga Kosova këtë të dielë në plazhin e Velipojës ka revoltuar qytetarët e tjerë që ishin në plazh, për shkak se ambulanca u vonua rreth një orë nga momenti kur u kërkua ndihmë.

Klan Kosova publikoi një video kur autoambulanca mori trupin e tij teksa pushues të shumtë u shprehën të revoltuar, duke e quajtur të turpshme vonesën e autoambulancës, e thërrisnin “marre, marre”.

Viktima thuhet se është nga qyteti i Ferizajt. Një tjetër pushues me profesion infermier kishte tentuar që të ndihmojë atë pas nxjerrjes nga uji, pasi ambulanca raportohet të jetë vonuar për një orë.

Sipas dëshmitarëve, i moshuari sapo ka hyrë në ujë për t’u larë, ka pësuar infarkt.

Trupi i të ndjerit është dërguar në morgun e spitalit të Shkodrës, me ambulancën e këtij qyteti, pasi në Velipojë shërbimi i ambulancës është mbyllur në datën 31 gusht.