Roshi, mesazh i qartë për Edy Rejan: “Dua të luaj nga fillimi”


Nga Bjellorusia, kombëtarja u kthye me shumë gjëra pozitive, por edhe një situatë për tu qartësuar. Odise Roshi nuk do të qendronte gjatë pa ngritur zërin, kur sheh që është kthyer nga titullar i pazëvendësueshëm në një alternativë, me skemën e re të teknikut italian. Efektiv sa herë është thirrur në cështje, ku edhe kundër Bjellorusisë shërbeu asist për Baren në golin e dytë, tashmë fieraku kërkon vendin e tij: “Unë bëj më të mirën. Si çdo lojtar, dua të luaj nga fillimi, por gjithmonë unë jap maksimumin dhe më pas vendos trajneri”, u shpreh Roshi me një mesazh të qartë për veshët e Edy Rejas.

Më pas numri 21 është kthyer tek ndeshja e fituar në Minsk, ku në pjesën e dytë, kuqezinjtë patën një rënie, ndoshta edhe për shkak të kondicionit fizik: “Nuk ishte një ndeshje e lehtë, por ekipi bëri një ndeshje shumë të mirë. Lituaninë nuk duhet ta nënvlerësojmë, duhet të marrim maksimumin nga kjo ndeshje. Ekipi është shumë mirë, përderisa fituam. Bjellorusia i kishte lojtarët me minuta në këmbët e tyre. Nga ana fizike jemi shumë mirë, por gjithçka t’ia lëmë fushës së lojës. I rëndësishëm gjithmonë është 3-pikëshi, po fituam kemi bërë gjithçka mirë” përfundoi Roshi.