Dita e shenjterimit


Nga Pellumb Kulla.
Njeriut ia zbukurojnë jetën edhe takimet e rralla, ata me figura të ndritura, me heronj të ëndërruar… Them se jam fatlum që pata ata takime aq të bukur me shënjtoren tonë të madhe , Nënë Terezën.
Në këtë postim do të ndërfus një shkrim që pata bërë vite më vonë, pas kësaj bisede. Si edhe një tufë fotografish të shtrenjta me Shën Terezën.
…………………………
Ja një poezi e bukur:
“Dua të kthehem në Shqipëri ”
Si shumë po vepron Qoftëlargu në anët tonë!
12 shtatore me figura shenjtësh do të doja të kisha në Shqipëri
Patjetër edhe në Kosovë 12 të tjera
Të luteshin murgeshat e mia për të larguar të keqen nga atdheu im
Dua të kthehem në Shqipëri
T’u shërbej të varfërve të gjakut tim
Dhe në nderim të kujtimit të prindërve dua të kthehem
Pranë tyre të mbyll sytë
Ta dimë, secili nga ne
Është krijuar për të bërë vepra të mëdha!”

Janë vargje poetike të Shën Terezës, shkruar në famëkeqin 1997. Më shumë se poezi, kjo është një lutje tipike e Shenjtores. Përgjithësimi i saj është shumë i madh dhe ai nuk ka të bëjë as me 1997, as me Shqipërinë vetëm, dhe ca më pak me persona të caktuar. Një Shënjtore nuk duhet përdorur politikisht pasi fyhet filozofia që e ka mbajtur atë. Një Shenjtore ka me Qoftëlargun konfliktin e përjetshëm qëkurse ka lindur njerëzimi. Unë them se e kuptoj drejt, bile më në mënyrë të arsyeshme, gruan e sharë dhe të përbuzur që vjen te krimineli më i madh i tëra kohërave dhe vendos një tufë lule mbi varrin e këtij njeriut që i solli dëmet më të thella edukimit shpirtëror të popullit të saj. Është gjest kristian, është falje mëkatesh veprim tipik i hierarkisë kristiane, ashtu si falja e Papës për atë që i bëri atentatin. Mos shikoni familjen e diktatorit që nxiton ta nxjerë atë tufë me lule në ballë të kujtimeve të tyre nga vizita e shumë refuzuar e Gonxhe Bojaxhiut dhe ta interpretojë sikur dje, tok me të, u shenjtërua dhe Enver Hoxha!

Në këtë lutje poetike, lutja më e fundit e saj, bërë para se të mbyllte sytë, ajo flet për nevojën e shtatoreve që të dominojnë mbi hapësirat e trojeve të shqiptarëve, në Kosovë, në Shqipëri e kudo që marrin frymë ata.
Të interpretosh kaq ngushtë një lutje të tillë dhe ta përdorësh për luftën aktuale politike, me keqardhjen që ajo nuk flet aty për firmat piramidale, për kthimin e pronave, për legalizimin e pushtimeve dhe për nevojën e koalicioneve për qeverisje është të jesh vite larg aspiratave të Shenjtores së Madhe apër shqiptarët e saj, siç kuptohet qartë në dy vargjet e fundit të lutjes.
Boll me Sali Berishën dhe praninë e tij në Vatikan!
Për mua ai bëri mirë që shkoi edhe në varrim edhe në shenjtërim. Janë aq shumë që mendojnë se bëmat e tij ky njeri do t’i vlerësojë njësoj si ata që janë të pakënaqur prej tij dhe e urrejnë atë. Dhe qortimi i tij dje ishte kundër frymës qiellore të Shenjtores së Madhe.

Pellumb Kulla, 5 shtator 2013