Arbitrazhi dënon Shqipërinë me 44 mln $/ Rama hoqi grekët për t’ia dhënë Edmond Begos


Më 1 shtator 2020, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit (ICC), i ka dhënë të drejtë kompanisë “Aktor” për punimet shtesë në autostradën Tiranë-Elbasan. Në vendimin prej 114 faqe të gjyqit që ka publikuar dosja.al arbitrazhi ka gjetur fajtore qeverinë shqiptare për largimin e kompanisë greke, e cila ndërtoi në kohë rekord Tunelin e Kërrabës, por u largua pas rishikimit të projektit për pjesën e shembjes në Ibë.

Pas largimit me një mal me borxhe me nënkontraktorët, kompania paditi qeverinë shqiptare, duke kërkuar dëmshpërblim për largimin. Në vendim, arbitrazhi thotë se qeveria shqiptare ka për detyrim të paguajë menjëherë “Aktor” për shkeljet me procedurat e ndërtimit të autostradës.

Kompania greke Aktor, e cila ndërtoi tunelin e Kërrabës dhe fitoi tenderin për rrugën Tiranë-Elbasan, u përball me një “telenovelë” shqiptare. Aktor përfundoi tunelin e Kërrabës, i cili kushtoi 8.3 miliardë lekë por për dy lotet e tjera u fut në garë së bashku me kompaninë COPRI.

Aktor pretendoi në gjykatë se për autostradën Tiranë-Elbasan, ka bërë punime shtesë që ia kërkoi qeveria shqiptare, por këto punime nuk u paguan kurrë, duke e lenë kompaninë me borxhe me nënkontraktorët, por edhe një bilanc tejet negativ. Në momentin kur “Aktor” kishte nisur punimet shtesë, qeveria shqiptare largoi “Aktor” dhe pajtoi kompaninë e biznesmenit të akuzuar nga opozita si të lidhur me qeverinë, Edmond Bego, “Inerte Ekspress”.

Kompania e Begos mori pagesën prej 10 milionë euro për përfundimin e punimeve në rrugën Tiranë-Elbasan dhe përfundoi punimet. Për rrjedhojë mori edhe pagesën, duke refuzuar të paguante kompaninë me të cilën ishte dakordësuar dhe kishte rënë dakord.

Tanimë, qeveria duhet të pranojë faturën e kripur prej 44 milionë dollarë e cila do të paguhet nga taksat e qytetarëve shqiptare. Kjo kosto, bashkëngjitur asaj të rrugës, e kthen autostradën Tiranë-Elbasan në një “gropë” të madhe për financat e qeverisë shqiptare.

Rruga e re Tiranë -Elbasan me gjatësi 27 kilometra nisi të ndërtohej në vitin 2011 m një kosto 33 miliardë lekësh (260 milionë euro). Afati për përfundimin total të punimeve ishte viti 2015, por një shembje që ndodhi në Ibë, kërkoi rishikim të projektit dhe kosto të reja. Për dy vite ekzaminime dhe negociata qeveria shqiptare u detyrua të marrë edhe dy kredi të tjera shtesë për përfundimin e rrugës me vlerë 51 milionë euro, duke e çuar koston në total në mbi 300 milionë euro.

Tanimë, bashkëngjitur edhe me vlerën e dëmshpërblimit, kostoja rritet, ndërsa gjyqi me “Aktor” bëhet gjyqi i dytë, pas Becchetit, që “gjunjëzon” qeverinë shqiptare në raport me kompanitë private dhe me bashkëpunimin me to, që në fund të ditës përkthehet në dëm në xhepat e qytetarëve. /dosja.aL