Miljet greke, verbëria nacionaliste që mbyt patriotizmin


Enton Abilekaj

Shumica nxori nga sirtari flamujtë me naftalinë dhe i shpalosën. Për grupet që e kanë konceptuar nacionalizmin si luftë ndaj Greqisë, reagimi ndaj çdo deklarimi fitore që mund të bëjë “kundërshtari”, është i pritshëm, por përfshirja në këto grupe e politikanëve dhe veçanërisht e Partisë Demokratike, ishte e çuditshme…

Basha: Qeveria, 52 mln euro për miq dhe klientë - Tv Klan

Stuhia nacionalisto-politike që u nxit pas fjalimit të Kryeministrit të Greqisë në Parlament, ka marrë me vete arsyen dhe të vërtetën dhe i ka lënë terren një beteje pa kuptim. Në fillim në rrjetet sociale, e më pas e artikuluar politikisht, dominoi diskutimin verbëria nacionaliste dhe tregtarët e flamujve që dalin të fituar përkohësisht në këto raste.

As informacioni, as sqarimet, as logjika nuk e përballonte dot stuhinë, që kur bëhet fjalë për t’iu drejtuar Greqisë, është e papërmbajtshme.

Në fakt nuk ka asnjë shitje deti, asnjë marrëveshje të fshehtë, asnjë falje, asnjë shans që Greqia të marrë Jonin dhe të vijë deri në Himarë. Jo për faj të Ramës, as për meritë të tij. Thjesht nuk ka asnjë mundësi të ndodhë pa një marrëveshje dhe marrëveshja nuk ka mundësi të ndodhë pas një grupi negociator dhe grupi negociator nuk ka mundësi të ngrihet pa autorizimin e Presidentit. Madje qeveria greke po ankohet pikërisht për këtë.

Në 25 gusht, Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, telefonoi Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Edi Rama. Në bisedë me siguri është njoftuar edhe deklarimi i 12 miljeve detare, si një e drejtë ndërkombëtare që nuk mund ta kontestojë as Italia, as Egjipti dhe aq më pak Shqipëria. “Është një e drejtë që vendi ynë e rezervon ta ushtrojë në të ardhmen në zona të tjera detare, njësoj siç e kanë ushtruar fqinjët tanë. Duke respektuar konventën e ligjit për detin dhe zbatimin e vijës së mesme aty ku distanca mes brigjeve është më pak se 24 milje”, tha Kryeministri grek në Parlament, pa lënë asnjë ekuivok për kufirin me Shqipërinë.

Palët kanë vendosur të rinisin negociatat, ku mes temave që do të diskutohen, do të jetë finalizimi i detajeve për marrëveshjen e delimitimit të ujërave territoriale dhe përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike mes dy vendeve, por edhe çështje të tjera, siç janë abrogimi ‘de jure’ i ligjit të luftës, testet shkollore, çështja e pronave në të dy anët e kufirit, marrëveshja e përdorimit të ujërave të ëmbla dhe baseneve ujore në dy anët e kufirit, marrëveshja për mirëmbajtjen e piramidave, si dhe përmirësimi i statusit të minoritetit grek në Shqipëri dhe të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi”, raportonte Top Channel, me burime nga Kryeministria.

Konteksti dhe kronologjia e ngjarjeve e konfirmon këtë raportim. Nën kërcënimin turk, Greqia nxitoi të nënshkruante marrëveshjet e delimitimit detar me Italinë dhe Egjiptin.

Dy marrëveshje që nuk arriheshin prej kohësh, për shkak të pretendimeve dypalëshe, por u arritën me tërheqjen e Greqisë. Tërheqje që u bë nën presionin turk në Egje. Me gjithë kufijtë detarë të hapur, Greqia vendosi të vendosë kufirin aty ku mundej, edhe duke lëshuar pe.

Opozita greke e Syrizas, i kritikoi të dyja marrëveshjet, megjithatë qeverisja e Micotakis ishte e vendosur të vazhdonte të njëjtën taktikë. Në këto kushte radha i erdhi Shqipërisë.

Situata me Shqipërinë ishte më komplekse. “Do të fokusohemi për një marrëveshje me Shqipërinë pas dështimit të negociatave në 2017 – 2018”, i tha Nikos Dendias televizionit grek Skai në 11 gusht. Grupet negociatore u bllokuan kur Ministri i Jashtëm Kotzias dha dorëheqjen dhe një vit më pas Syriza humbi zgjedhjet. Mandatet e grupeve negociatore përfunduan, gjithçka mbeti në mes.

Në intervistën për Skai, Dendias thotë gjithashtu: “Janë disa çështje ligjore të brendshme të tyre: dhënia e autorizimit të Presidentit për qeverinë, që ai mund të mos jetë i predispozuar ta japë. Me këtë çështje po merret politika e jashtme e Greqisë”. Pra, nuk ka grup negociator, të paktën nga Shqipëria dhe këtë, më mirë se Kryeministri Rama duhet ta dinte Presidenti Meta, i cili nuk e ka dhënë akoma autorizimin.

Pikërisht në këtë intervistë konfirmohen edhe çështjet e tjera, që u përmendën tek informacioni i Top Channel, por edhe nxitimi që qeveria greke ka për një marrëveshje me Shqipërinë.

Nxitim që mund t’i shërbejë Shqipërisë, për një marrëveshje të mirë, jo vetëm për detin, por për gjithë paketën. Nën presionin turk, nën kërcënimin e zonës ekskluzive ekonomike në Egje, që llogaritet shumë fitimprurëse për Greqinë, Qipron dhe Izraelin, qeveria Helene mund të lëshojë diçka në Jon, ashtu siç bëri me Italinë dhe Egjiptin.

Kjo situatë e favorshme, në fakt, nuk po shikohet si mundësi nga të gjithë krahët e politikës dhe shoqërisë shqiptare. Shumica nxori nga sirtari flamujtë me naftalinë dhe i shpalosën. Për grupet që e kanë konceptuar nacionalizmin si luftë ndaj Greqisë, reagimi ndaj çdo deklarimi fitore që mund të bëjë “kundërshtari”, është i pritshëm, por përfshirja në këto grupe e politikanëve dhe veçanërisht e Partisë Demokratike, ishte e çuditshme.
Si kandidat për Kryeministër, Lulzim Basha, në vend që mbillte erën, mund të qetësonte shpirtrat e atyre, që për të kundërshtuar Ramën, janë gati të djegin cdo mundësi për vendin, apo të krijojnë stuhi në ditën me diell.

Nën presionin e Turqisë, nuk është vetëm Greqia. Shqipëria gjithashtu. Nën këtë presion mund të humbasë mundësia për një marrëveshje të favorshme me Greqinë. Politikanët, diplomatët dhe ekspertët duhet të uleshin për të hartuar një plan, për të vendosur nëse Shqipëria do të përfshihet në një luftë të mëdhenjsh, që në fakt nuk i takon, apo do të shohë interesat e veta, që nuk prekin asnjë nga objektivat strategjikë, të orientimit dhe integrimit Euro-Atlantik.

Në vend që të turren për vota nga hiçi, duhet të shohin të paktën një herë interesin kombëtar, në vend t’i hedhin mjegull dezinformimit, t’u qetësojnë shpirtrat dhe t’u hapin sytë njerëzve të revoltuar, në vend që të shesin nacionalizëm, të mbjellin patriotizëm. Patriozimi është të duash atdheun, nacionalizmi është të urresh kombet e tjera. Ne duhet të zgjedhim si do veprojmë.

Dosja.al