Policia e Berlinit shpërndan protestën kundër kufizimeve të lidhura me pandeminë


Policia e Berlinit urdhëroi shpërndarjen e një proteste kundër kufizimeve për shkak pandemisë të shtunën pasi pjesëmarrësit nuk pranuan të respektojnë rregullat e distancimit social. Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin gjerman për të kundërshtuar masat për parandalimin e koronavirusit.

Protestuesit u shprehen kundër vaksinimit, maskave dhe qeverisë gjermane në përgjithësi. Disa prej tyre valvisnin flamurë amerikanë, rusë apo nazistë, ndërsa të tjerë kishin veshur bluza të lëvizjes “QAnon”. (Termi i referohet një teorie konspiracioni sipas së cilës brenda sistemit politik amerikan ka një komplot nga një qeveri e fshehur brenda qeverisë së zgjedhur në mënyrë legjitime).

Disa kishin shkruar mbi bluza parulla nacionaliste me shenja neo-naziste, por pjesa më e madhe e pjesëmarrësve mohuan të kishin pikëpamje të ekstremit të djathtë. Uwe Bachmann, 57 vjeç, tha se kishte ardhur nga jugperëndimi i Gjermanisë për të protestuar për fjalën e lirë dhe të drejtën e tij për të mos vendosur maskë.

I respektoj ata që kanë frikë nga virusi”, tha zoti Bachmann, i cili shtoi por pa dhënë shumë detaje se “diçka tjetër” fshihej pas pandemisë. Një protestues tjetër tha se dëshironte që sistemi aktual politik i Gjermanisë të shfuqizohej dhe të rikthehej kushtetuta e vitit 1871 me arsyetimin se sistemi politik i pas luftës ishte i paligjshëm. Duke dhënë vetëm emrin Karl-Heinz, ai tha se kishte udhëtuar me motrën e tij nga shtëpia e tyre pranë kufirit me Holandën për të marrë pjesë në protestë dhe se besonte se rastet e koronavirusit që raportoheshin aktualisht në Gjermani si “pozitive” ishin “të rreme”.

Gjermania ka pësuar një rritje të shpejtë të rasteve të reja me koronavirus javët e fundit. Agjensia për Kontrollin e Sëmundjeve njoftoi të shtunën se Gjermania kishte pothuajse 1.500 infeksione të reja gjatë 24 orëve të fundit. Gjermania është vlerësuar për mënyrën se si e ka trajtuar pandeminë dhe numri i të vdekurve prej rreth 9.300 persona në vend është më pak se një e katërta e numrit të atyre që kanë vdekur nga COVID-19, në Britani. Qeveria rajonale e Berlinit kishte kërkuar që protesta të pengohej, duke përmendur mitingjet kundër maskave në fillim të këtij muaji, kur rregullat për parandalimin e virusit nuk u respektuan. Organizatorët e protestës e apeluan me sukses vendimin të premten, por gjykata i urdhëroi ata të siguronin distancimin fizik. Mos zbatimi i kësaj mase bëri që policia e Berlinit ta shpërndajë marshimin. Gjatë protestës kundër maskave u zhvilluan edhe kundër-protesta më të vogla, ku pjesëmarrësit hidhinin parulla kundër pranisë të së djathtës ekstreme në mitingjet kundër maskave.

Në Gjermani maskat duhet të vendoset në mjetet e transportit publik, dyqane dhe disa ndërtesa publike siç janë bibliotekat dhe shkollat.

Ndërkohë disa qindra njerëz u mblodhën të shtunën në lindje të Parisit për të protestuar ndaj rregullave të reja mbi maskat dhe kufizimeve të tjera të shkaktuara nga rritja e infeksioneve me koronavirus në vend. Policia vëzhgoi nga afër protestën, por nuk ndërhyri. Protestuesit nuk kishin një organizator qendror. Mes tyre kishte njerëz me jelekë të verdhë, të cilët kanë protestuar më parë ndaj padrejtësive ekonomike, si dhe të tjerë që reklamonin teori konspirative e që e quajnë veten organizata “Anti-Maska”. Në Francë nuk ka pasur një lëvizje anti-maskë si në disa vende të tjera.

Maska kërkohet tashmë kudo në publik në Paris pasi autoritetet paralajmëruan se infeksionet po rriten me shpejtësi, një vendim që përkon me fillimin e vitit shkollor. Franca regjistroi më shumë se 7,000 infeksione të reja brenda një ditë të premten krahasur me disa qindra në ditë në maj dhe qershor, pjesërisht falë numrit të lartë të testimeve. Franca ka numrin e tretë më të lartë të vdekjeve nga koronavirusit në Evropë pas Britanisë dhe Italisë, me mbi 30.600 të vdekur.