Teuta kualifikohet në raundin e dytë të EL: Krasniqi e Hebaj gola që vlejnë 690 mijë euro


Teuta shkon në raundin e dytë të Europa League, duke thyer tabunë e skuadrave tonë ndaj atyre izraelite. 2-0 e durrësakëve të Edi Martinit, të privuar nga njeriu i tyre më përfaqësues Sherif Kallaku (i transferuar në verë), i ka dhënë kualifikimin në raundin e dytë të kompeticionit europian durrësakve në prezencën e tyre të 11 në Kupat e Europës. Një përfaqësim inteligjent dhe i kujdesshëm i të besuarve të Martinit, që shënuan në fillim e në fund të ndeshjes duke i lënë inisiativën gjatë gjithë kohës Beitar Jerusalem. Krasniqi e Hebaj shënuan golat vendimtar, që vlejnë 690 mijë euro arkëtime për kualifikimin e arritur.

Martini bëri lëvizjet e tij, me qetësinë e një trajneri që e di sa mund të rezistojë skuadra e tij: Gruda e Hebaj në fakt i dhanë freskinë e duhur bregdetarëve, që mbajtën më mirë fushën dhe u bënë agresiv në presing, gjë që pikërisht në fund solli edhe golin e sigurisë të Hebajt, që zëvendësoi ekzaktësisht autorin e golit të parë Krasniqin. Shkodrani ndoqi mirë këmbënguljen e Vilës dhe me kokë shënoi golin që qetësoi Martinin në pankinë. 2-0 dhe Teuta shkon në raundin e dytë, me bindjen në forcat e saj dhe me arkat e mbushura plot.

TEUTA-BEITAR JERUZALEM

Teuta: Frashëri, Todorovski, Arapi, Hoxha, Kuro, Avdyli, Aleksi, Beqja, E.Vila, L.Vila, Krasniqi. Trajner: Edi Martini.

Beitar Jeruzalem: Nitzan, Biton, Dgani, Verdaska, Kostantini, Rotman, Ali Mohamed, Krif, Atar, Azulai, Vered. Trajner: Roni Levi.