DETAJET: Kapiteni i Manchester u përlesh me grupin e shqiptarëve në Greqi, që i ngacmuan motrën


Mediat britanike kanë publikuar detaje të reja nga sherri i kapitenit të Manchester United, Harry Maguire, në Mykonos të Greqisë. Sipas tyre, Maguire dhe dy miq të tij, janë përleshur me një grup shqiptaresh.

Këta të fundit, raportohet se i kanë ngacmuar motrën.

Fillimisht ata kanë hyrë në muhabet me motrën e Maguire, por kur ajo i ka refuzuar, ata janë bërë të dhunshëm. Sipas mediave britanike, ata e kanë qëlluar motrën e Maguire me thikë në krah dhe nofull.

Në këto momente ka ndërhyrë pikërisht mbrojtësi i njohur, bashkë me dy miqtë e tij, që janë përleshur me shqiptarët. Pastaj kanë ardhur policët, por Maguire është përleshur dhe me ta, dhe më pas iu ka ofruar edhe ryshfet, për të mos e arrestuar.

Nuk dihet çfarë fati patën shqiptarët e përfshirë në sherr, por Maguire u lirua nga burgu, ku qendroi për dy ditë, pasi pagoi si garanci një shumë të majme dhe ka fluturuar drejt Britanisë.

Tashmë ai do të përballet me telashe të mëdha, pasi hetimet për të nuk kanë përfunduar dhe nuk është çudi të dënohet me burg.

Për më tepër që mund të ndëshkohet nga klubi i tij, por dhe Kombëtarja e Anglisë, e cila mund të mos e grumbullojë për në Europianin e kësaj vere, për shkelje të rregullave të etikës.