“Përse babi na rreh, ne të gjithë rrimë urtë para tij?”


Ai kërkon që askush mos t’ia kthejë fjalën. Ai kërkon që kafja t’i shkojë në kohë. Ai kërkon ushqim të mirë dhe ka teka kur nuk i pëlqen. Ai kërkon që t’i shërbejmë dhe t’i qëndrojmë gati tu. Jo vetëm kaq, por ai ushtron dhunë fizike. Një vajzë e mitur kallëzoi në policinë e Kamzës të atin, i moshës 42 vjeç, i cili nga ana e tij nuk bën asgjë dhe nuk sjell asnjë të ardhur për të rritur fëmijët e tij. Sipas burimeve të gazetës Si burri me zakone prapanike, por gjithashtu edhe me nerva të pakontrolluara, u nxeh që fëmija i ktheu fjalën. Dhe për këtë e goditi me kurrizin e pëllëmbës në fytyrë.

K. Q. e fshiu gjakun që i doli pasi iu ça goja ngaqë ora e të atit iu përplas dhunshëm në fytyrë. “Vëllai më tha të ka dalë gjak, fshije në banjë motër”, citohet në denoncimin e të miturës para policisë. Fëmija tregon se babai i saj bëhej i dhunshëm çdo herë që kthente një gotë alkool, por edhe kur është esëll ai ngre zërin, duke theksuar se burri në shtëpi është ai.

U largova nga frika, shkova tek puna e mamit dhe pastaj erdha në polici tregon fëmija në prani të një psikologu.

Si ndodhi ngjarja

Burri S.Q. rezulton sipas burimeve të jetë shpallur fajtor edhe më herët për akuzën e dhunës në familje. Pas rrahjes së bashkëshortes ai ka filluar të qëllojë edhe fëmijët e mitur.

“Babi erdhi në shtëpi së bashku me një shok. Kërkoi kafe dhe sa e përgatita ua dhashë pa bërë zë. Kur shoku i tij u largua, babi më gjeti në kuzhinë dhe gjithë nerva më pyeti, – pse ma ndërpreve fjalën kur po flisja”, kujton e mitura e cila sqaron agjentin që ka mbajtur shënim ngjarjen se ajo nuk kishte guxuar asnjëherë që të fliste pa marrë leje nga i ati.

“Por ai më qëlloi me pjesën e pasme të pëllëmbës dhe ora e tij më çau buzën. Vëllai u afrua dhe avash më foli: motra të doli gjak ec e laje në banjë.

Në të njëjtën ditë, teksa fëmija po gatuante drekën për anëtarët e tjerë pasi e ëma ishte në punë, babai i papunë ka filluar nga nazet. S.Q. ka ushtruar sërish dhunë.

“Gatova makarona, por babai ishte i irrituar. Kërkoi të gatuaja ushqim tjetër. E derdhi pjatën dhe u mat të më qëllonte me pjatë. Por ndaloi. Pastaj u çua dhe më qëlloi me grusht pas koke”, shton fëmija që sipas burimeve të Gazetës “Si” i ka pyetur agjentët në prani të psikologëve: “Përse babi na rreh, ne të gjithë rrimë urtë para tij?”