Kapet me drogë shoferi i kryebashkiakes socialiste të Roskovecit, Majlinda Bufi


Shoferi i kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi është proceduar penalisht nga policia pasi i është gjetur lëndë narkotike me vete. Burime policore bënë me dije se 35-vjeçari me iniciale A.B. ishte duke lëvizur me makinën e bashkisë me një tjetër person kur është ndaluar nga policia, që u ka sekuestruar kanabis sativa në doza.

Shoferi i Majlinda Bufit ka deklaruar se është përdorues i lëndës narkotike, megjithatë ndaj tij është ngritur akuza për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në një njoftim më herët gjatë ditës, Policia e Fierit informoi për procedimin e 35-vjeçarit dhe disa personave të tjerë, si dhe tre arrestime lidhur me vepra penale në fushën e narkotikëve.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, arrestuan në flagrancë shtetasit: I. A., 20 vjeç, banues në Lushnjë. K. B., 29 vjeç, banues në Roskovec. D. V., 19 vjeç, banues në Mallakastër. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi gjatë kontrollit nga policia në automjetet që këta udhëtonin, ju gjetën doza me lëndë narkotike kanabis, gati për shitje.

Si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 5 shtetasve të tjerë A. B. 35 vjeç; R. B., 20 vjeç; G. B., 22 vjeç; F. Sh., 20 vjeç dhe O. Sh., 30 vjeç, për veprën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 automjete dhe lënda narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’ dhe ‘Nxitja për përdorimin e drogës’”, njoftoi policia.

Sprint.al