Bjellorusi, Lukashenko urdhëron policinë të shuajë protestat


Belarusian President Alexander Lukashenko chairs a Security Council meeting in Minsk, Belarus, Aug. 18, 2020.

Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko urdhëroi policinë të mërkurën të shuante protestat në kryeqytetin Minsk, duke sinjalizuar një përshkallëzim të gjendjes pas një jave e gjysmë demonstratash masive kundër sundimit të tij.

Urdhri i Lukashenkos vjen ndërkohë që udhëheqësit e Bashkimit Evropian mbajtën një takim të ngutshëm të nivelit të lartë për krizën politike në Bjellorusi, fqinja më besnike e Rusisë, dhe që i ka militarizuar së tepërmi kufijtë me shtetet anëtare të BE-së, Poloninë dhe Lituaninë.

Udhëheqësit e BE-së pritet të miratojnë sanksione ndaj zyrtarëve bjellorusë, që ata i fajësojnë për mashtrim në votime gjatë zgjedhjeve të kontestuara të 9 gushtit që opozita thotë se i fitoi.

“Në Minsk nuk duhet të ketë më asnjë prishje të rendit, të asnjë loji,” tha zoti Lukashenko, sipas një njoftimi të agjencisë zyrtare të lajmeve Belta. “Njerëzit janë të lodhur. Njerëzit kërkojnë paqe dhe qetësi,” tha ai.

I përballur me sfidën më të madhe të sundimit të tij 26-vjeçar, Lukashenko ka dhënë urdhër për forcimin e kontrolleve kufitare për të parandaluar, sipas tij, hyrjen e “luftëtarëve dhe armëve”. Punonjësit e mediave shtetërore që u larguan nga puna në shenjë proteste ndaj politikave të qeverisë, nuk do të rimerren në punë, tha ai.

Lukashenko gjithashtu ka urdhëruar agjencitë e zbulimit që të vazhdojnë të kërkojnë organizatorët e protestave, njoftoi agjencia Belta.

Udhëheqësit e BE-së po ndjekin një linjë diplomatike delikate, duke u përpjekur të mbështesin forcat demokratike në Bjellorusi, por pa provokuar zemërimin e Moskës.

“Dhuna duhet të ndalet dhe duhet të nisë një dialog paqësor e gjithëpërfshirës. Udhëheqja e Bjellorusisë duhet të pasqyrojë vullnetin e popullit,” tha kryetari i samitit të BE-së, Charles Michel, në një koment në Twitter, duke njoftuar hapjen e videokonferencës.

“BJELLORUSIA NUK ËSHTË EVROPË”

BE synon të shmangë përsëritjen e asaj që ndodhi në Ukrainën fqinje gjashtë vjet më parë, kur një udhëheqësi pro-rus u rrëzua me kryengritje popullore, gjë që u bë shkak për një ndërhyrje ushtarake ruse dhe për një konflit që vazhdon edhe sot, më i përgjakshmi në Evropë.

“Bjellorusia nuk është Evropë,” tha Komisioneri i BE-së për Industrinë Thierry Breton, duke e krahasuar atë me dy fqinjët e saj në kufijtë perëndimorë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë, që të dyja në shënjestër të operacioneve ushtarake ruse.

“Bjellorusia është në fakt e lidhur fort me Rusinë dhe pjesa më e madhe e popullsisë është për lidhje të ngushta me Rusinë,” tha ai.

Rusia ka paralajmëruar vazhdimisht Perëndimin që të mos ndërmarrë hapa, të cilat ajo do t’i konsidentonte si ndërhyrje.

Të mërkurën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, akuzoi fuqi të huaja të paidentifikuara për ndërhyrje, gjë që ai e quajti të papranueshme.

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya i ka kërkuar BE-së të mos e pranojë fitoren e Lukashenkos në zgjedhje. Politikania 37-vjeçare u bë sfiduesja e tij kryesore në zgjedhje, pasi figurat më të njohura të opozitës ose ishin burgosur ose uk u tlejuan të kandidonin.

“Ju bëj thirrje që të mos i njihni këto zgjedhje të manipuluara,” tha zonja Tsikhanouskaya, duke folur në anglisht në një videodeklaratë nga Lituania fqinje, ku ajo u arratis pas zgjedhjeve, për të cilat mbështetësit thanë se u fituan prej saj.

“Z. Lukashenko ka humbur të gjithë legjitimitetin në sytë e vendit tonë dhe të botës,” tha ajo.

Lukashenko, ish-përgjegjës fermash kolektive, duket se e nënvlerësoi zemërimin e publikut, pasi rezultatet zyrtare e nxorën atë fitimtar me 80 për qind të votave.

Fabrikat e mëdha në pronësi të shtetit janë hedhur në grevë në mbështetje të protestuesve dhe autoritetet kanë pohuar se disa oficerë të policisë kanë lënë punën.

Duke folur të mërkurën para këshillit të sigurisë, zoti Lukashenko përsëriti akuzat se protestuesit ishin të financuar nga jashtë vendit.

Rusia ka të ngjarë të luajë një rol vendimtar në mënyrën sesi do të vazhdojë kriza.

Nga të gjitha ish-republikat sovjetike, Bjellorusia ka lidhjet më të ngushta ekonomike, kulturore dhe politike me Rusinë dhe territori i saj është me rëndësi thelbësore për strategjinë ruse të mbrojtjes.

Që nga vitet 1990, dy vendet e kanë shpallur veten pjesë të një “shteti të bashkuar”, i cili ka edhe një flamur të kuq, të stilit sovjetik.

Megjithë lidhjet e ngushta dypalëshe, Presidenti rus Vladimir Putin ka pasur një marrëdhënie të vështirë personale me Lukashenkon.

Kremlini tani përballet me alternativën nëse do t’i rrijë atij në krah për të parë se sa mund të rezistojë zoti Lukashenko, apo do të përpiqet të organizojë kalimin tek një udhëheqës i ri, i cili të vazhdojë ta mbajë Bjellorusinë në orbitën e Moskës.VOA