Rëndohet kriza në kufirin shqiptaro grek – një fëmijë 10 vjeçar humbi jetën në një aksident


Një fëmijë 10 vjeçar humbi jetën nga goditja e një autoambulance në radhën kilometrike të shqiptarëve që kërkojnë të udhëtojnë drejt Greqisë.

Autoritetet spitalore në Gjirokastër i thanë “Zërit të Amerikës” se fëmija S.N.,10 vjeç, nga Lezha u dërgua i pajetë në spital gjatë orëve të paradites të së shtunës.

Policia e Gjirokastrës tha se “ngjarja ndodhi rreth orës 10:30, në aksin kombëtar Kakavije – Gjirokastër, në afërsi të kthesës së Bularatit, ku autoambulanca që po transportonte një shtetase të sëmurë për në spitalin rajonal Gjirokastër, përplasi për vdekje të miturin”.

Kriza e radhëve në kufirin shqiptaro grek është rënduar gjatë paradites së të shtunës pasi autoritetet greke e mbyllën sërish pikën kufitare te Kakavijës në orën 22 të mbrëmjes për ta hapur në orën 06 të mëngjesit.

Disa mijëra qytetarë shqiptarë e kaluan natën në kufi, ndërsa për mjaft prej familjeve situata po rëndohet pasi po i kalojnë 48 orët e qëndrimit në kufi në kushte mjaft të vështira, me temperatura mjaft të larta dhe mungesë të ushqimeve, ujit dhe kushteve higjieno sanitare.

Emergjencat civile dhe forcat e ushtrisë po ofrojnë ndihmë me ujë dhe ushqime prej mbrëmjes së të premtes, por nevojat e familjeve mbeten të mëdha, pasi radha e automjeteve është rreth 10 kilometra dhe mes udhëtarëve ka shumë të mitur e të moshuar.

Dyndja e emigrantëve shqiptarë drejt Greqisë hyri sot në ditën e tretë pasi autoritetet greke njoftuan masa shtrënguese që hyjnë në fuqi të dielën.