Takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë më 2 shtator


Richard Grenell

I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 2 shtator.

Ambasadori Grenell e bëri njoftimin të enjten në Twitter, por nuk dha hollësi të tjera.

Në Prishtinë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mirëpriti njoftimin për takimin e dy shtatorit.

“Ne u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara për përkushtimin e jashtëzakonshëm për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon”, shkroi presidenti Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.

“Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Kosova është e bekuar me miqtë që ka”, shkroi ai në llogarinë e tij në facebook.