Shkup, Zoran Zaev merr mandatin për formimin e qeverisë së re


Në Maqedoninë e Veriut, Presidenti Stevo Pendarovski i dorëzoi sot kryetarit të Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev mandatin për formimin e qeverisë. Zoti Zaev ka njëzet ditë afat për formimin e kabinetit dhe për t’i paraqitur parlamentit programin e qeverisë së re.

Ndonëse socialdemokrati Zoran Zaev e kishte njoftuar të mërkuren presidentin Pendarovski për sigurimin e shumicës parlamentare, megjithatë partitë shqiptare me të cilat Zaev po zhvillon bisedime, nuk kanë pohuar të kenë përafruar qëndrimet rreth një koalicioni të përbashkët qeverisës.

Kjo është hera e dytë që zoti Zaev merr mandatin për formimin e qeverisë në karrierën e tij. Herën e parë para pothuaj katër vjetësh ai arriti ta formonte kabinetin në rrethana mjaft delikate që kishin pasuar sulmet e organizuara në parlament.

Nga ana tjetër, ekzistojnë dilema tek një pjesë e ekspertëve ligjorë nëse presidenti u nxitua me dhënien e mandatit zotit Zaev pa u siguruar shumica parlamentare prej 61 votash në parlamentin prej 120 vendesh.

Mandatari i ri dhe ish-kryeministër, Zoran Zaev tha se do të propozojë personalitete cilësore për në kabinetin qeveritar dhe një program cilësor që do të sillte një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët si dhe fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian.

Partia e tij, Lidhja e Social Demokrate po zhvillon bisedime intensive me Bashkimin Demokratik për Integrim, por asnjëra prej partive nuk kanë dhënë hollësi mbi rrjedhën e tyre. Ndërkohë, kanë dalë zëra se partia shqiptare po kërkon që posti i kryeminstrit t’i takojë asaj në vtin e parë dhe partisë maqedonase në tre vitet e mbetura. Njoftohet se është kërkuar që posti i kryetarit të parlamentit t’i takojë partisë e cila nuk do ta ketë kryeministrin.

Ndërkohë, përpjekjet e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti për të mbledhur po të ejten krerët e partive të tjera shqiptare në këtë ditë simbolike të 19 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, dështuan. Ziadin Sela, Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Menduh Thaçi nuk shkuan në takimin e thirrur nga zoti Ahmeti për të biseduar mbi zhvillimet rreth qeverisë së re.

BDI-ja ka 15 ligjvënës, të mjaftushëm për koalicionin eventual LSDM-BDI, por një koalicion me 61 deputetë nuk konsiderohet i qëndrueshëm. Aleanca-Alternativa së bashku kanë 12 deputetë, Lëvizja Besa 4, në kuadër të koalicionit me LSDM-në dhe PDSH 1 deputet.