Rendësia për Shqiptarët ne zgjedhjet të ardheshme në Shtetet e Bashkuara te Amerikes


sami_repishti

SAMI REPISHTI, PHD 

Ridgefield, CT.- Kontaktet e shumëzueme distancat e pakësueme, nevoja jetësore për shkëmbime, ndihma dhe bashkëpunim kanë ba sot botën tonë nji konglomerat të ndërlidhun ngushtë njeni me tjetrin. Para nji gjendje të këtillë, çdo popull studion të kaluemen historike, vlerëson të tashmen e dëshirueme ose jo dhe planifikon për nji të ardhme që u përshtatet interesave jetësore të tij. Nji nga elementët e kësaj perspektive ashtë edhe zgjedhja e “aleatëve”, popuj me të cilët komunikojmë ma mirë, ndihemi ma afër e dëshirojmë të mbetemi afër njeni-tjetrit edhe në të ardhmen, sidomos në situata të vështira.

Kështu ngjet edhe me popullin shqiptar në të dyja anët e kufinit arbitrar shtetnor, që na ndan sot në dy pjesë: Shqipëria Perëndimore dhe Shqipëria Lindore, në kuptimin gjeografik gjinden sot në nji situatë të padëshirueshme dhe që shpresohet se në kondita ma të favorshme, kjo “situatë” mund të riparohet pa dhunë dhe përfundimisht. Kështu e shoh unë të ardhmen e popullit shqiptar dhe për këtë vizion, ndoshta të largët, punoj çdo herë që më paraqitet rasti.

Zgjedhjet e ardhme në SHBA, 3 nandor 2020, janë nji rast i këtillë. Në krye të shtetit amerikan shpresohet të vijë nji figurë politike e nivelit të naltë, i nderuemi ish-n.presidenti i Amerikës, Joseph R. Biden, Jr., nji personalitet politik, karriera e të cilit fillon që në moshën 28-vjeçare si anëtar i Kongresit Amerikan dhe besohet të arrijë kulmin në moshën 74-vjeçare, me zgjedhjen e tij President i Amerikës në votimet e 3 nandorit 2020.

Për ne shqiptarët, nji ngjarje e këtillë ashtë shumë e dëshirueshme, sepse kemi të bajmë me nji personalitet të aftë e profesional që njeh mirë edhe problemin tonë në Ballkan. Dhe këtë, ai e ka thanë ma shumë se nji herë.

Në nji fjalim të mbajtun në hotel “Sheraton” NYC., më 28 prill 2002, ish-Senatori Joseph R.Biden, Jr., në prezencën mbipartiake të kongresmen Tom Lantos (D.,Ca.) dhe kongresmen Benjamin Gilman (R.,NY.) dhe të ftuemve shqiptarë: i ndjeri Pjetër Årbnori (Shqipëri), Ramush Haradinaj (Kosovë) dhe i ndjeri Arben Xhaferi (Maqedonia e Veriut), ai deklaroi:

“ …Interesat e qarta të vetë Shteteve të Bashkueme të Amerikës gjatë shekullit 21 fillojnë me nji Europë të pandame, të plotë dhe të bashkueme, sepse ‘kurdoherë që Europa zbret në kaos’, bijtë e bijat tona vdesin, ekonomia jonë dobësohet dhe na paguejmë çmimin që kërkohet. Të pajisun me kulturë, histori dhe prirje natyrore të përbashkët, na jemi të paaftë me u largue prej saj dhe prej asaj që ngjet në Europë. Fati i shtatë milionë shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik ashtë gjithashtu kritik për interesat e vetë Amerikës. Nëse legjitimiteti etnik i popullit shqiptar nuk do të njihet dhe nuk do të mbrohet, të gjitha njësitë që përbajnë atë regjion do të bien dhe nëse ne nuk jemi gati me stabilizue Ballkanin, jemi na, amerikanët, që do e paguejmë shtrenjtë”. (“Panorama”, 26.III.2020)

Pak ditë para këtij takimi, unë pata nderin me deshmue para Komitetit Senatorial që kryesonte i nderuemi Senator Biden. Në fund të dëshmisë, ai më ftoi të afrohem te tryeza. Në nji bisedë 2-3 minutash, Senatori Biden më pyeti: “Doktor, më thuej pse të gjitha këto probleme në Ballkan?”

Unë përgjegja me bindje: “Senator, Serbia ashtë nji shtet militarist, që në esencë drejtohet nga klasa militariste e dehun nga sukseset e luftërave të kalueme dhe e vendosun me ripërtëri lavdinë e perandorisë së shekullit 14, të carit Stefan Dushan. Asnji nga shtetet që rrethojnë Serbinë nuk përban nji kërcënim për Serbinë; të gjitha këto shtete jetojnë me frikën se nji ditë mund të jenë viktima të nji sulmi të paprovokuem serb”. Senatori më falënderoi dhe u largue.

Në votimet e përgjithshme të nandorit 2006, unë urova fitoren e tij elektorale:

“I nderuemi Senator Joseph R. Biden, Jr! Urimet e mia ma të mira për nji fitore bindëse të Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit. Koha kërkonte ndryshime dhe populli amerikan u shpreh me za të naltë.

Tue pasë parasysh eksperiencën dhe profesionalizmin që ju keni tregue për dekada me radhë në fushën e të drejtave të njeriut dhe shërbimin tuej në Senatin Amerikan, ashtë e arsyeshme që na të presim ardhjen tuej në pozitën e kryetarit të Komitetit Senatorial për Punët e Jashtme, në legjislaturën e re. (Ashtu ngjau).

Unë kam ndjekë veprimtarinë tuej në fushën për të drejtat e njeriut gjatë viteve të shërbimit tuej dhe veçanërisht të drejtat e njeriut për popullsinë shqiptare në ish-Jugosllavi. Si nji ish-i burgosun politik, unë jam i bindun se nën udhëheqjen tuej, ky aspekt i politikës amerikane do të forcohet për të mirën e të gjithë atyne që kanë kaq shumë nevojë. Sinqerisht, i jueji ….”

Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës, shtet i lirë, sovran dhe demokratik, në mes të nji entuziazmi të panjohun ma parë. Reagimi i botës së jashtme ka njohë dy qëndrimet e mundshme: pozitive, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkueme dhe negative nën influencën ruse e kineze, pa marrë parasysh qëndrimin obstruksionist të qeverive të ndryshme serbe, qëndrim që vazhdon edhe sot me nji fushatë të egër diplomatike për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ose tërheqjen e saj nga ata që fillimisht e njohën. Në këtë periudhë jashtëzakonisht delikate për Kosovën, Shtetet e Bashkueme ndërmorën iniciativën me mbrojt pavarësinë dhe për këtë qellim, Kongresi Amerikan organizoi nji “Hearings” vetëm tri javë mbas shpalljes zyrtare në Prishtinë. Personaliteti që kryesoi këtë seancë ka qenë i nderuemi Senator Joseph R. Biden, Jr., kryetar i Komitetit Senatorial për Punët e Jashtme, i cili e cilësoi gjendjen me fjalinë monumentale: “Pavarësia e Kosovës ashtë nji piramidë udhërrëfyese në rrugën për nji të ardhme paqësore dhe prosperitet”.

Nji element inkurajues për nji ndërmarrje të këtillë ka qenë edhe lobimi i bashkësisë shqiptare në Amerikë, sidomos i Këshillit Kombëtar ShqiptaroAmerikan (a.k.a. NAAC). Lobimi ashtë nji faktor me randësi në jetën politike dhe shoqënore amerikane dhe shërben si element shoqënues i organeve të administratës, ligjërisht i njohun dhe i përkrahun. Qëllimi i lobimit në Amerikë ashtë mbajtja dhe përforcimi i vëmendjes së organeve qeveritare mbi probleme të ndryshme, që shpeshherë mbulohen në grumbullin e problemeve të shumta ditore të këtij vendi. Lobizmi ashtë kumbonë zgjimi i vëmendjes qeveritare. Formalisht. “Lobizmi” ashtë kërkesa/lutja që bahet tek anëtarët e trupit legjislativ, me qëllim influencimi në legjislacion. Nga shpërdorimet, lobizmi shpesh keqkuptohet, por në esencë ashtë faktor pozitiv: sqarimi i problemeve pjesërisht të lëna mbas dore.

Fjala e hymjes së “Hearings”, (e riprodhueme tanësisht nga gazeta “ILLYRIA” e New York-ut, nr.1728, datë 7-10.III.2008) e mbajtun nga kryetari, Senatori Biden, vijon ma poshtë (përkthye shqip nga origjinali anglisht):

“Statusi i Kosovës ka qenë sfida e madhe dhe e fundit që mbeti pa u zgjidhë mbas shpërbamjes së Jugosllavisë. Në balancë, gjendja ligjore e Kosovës tregonte se populli i saj nuk kishte perspektivë me sigurue investime të hueja të nevojshme me rindërtue ekonominë e tyne ose nji bazë politike, mbi të cilën të ndërtohej shoqënia e tyne.

Për dy vjet me radhë, Kombet e Bashkueme u përpoqën me ndërmjetësue nji marrëveshje mbi pavarësinë e Kosovës. Për fat të keq, Serbia dhe padroni i saj, Rusia, hodhën poshtë nji plan që do të kishte garantue nji pavarësi të mbikëqyrun dhe mbrojtje të fuqishme për pakicën serbe.

As edhe nji herë të vetme gjatë këtyne dy viteve me negociata për të ardhmen e Kosovës, Serbia nuk paraqiti argumente mbi të ardhmen e Kosovës ose pse nji sundim i vazhdueshëm serb mbi Kosovën do të përmirësonte jetët e shqiptarëve etnikë, të cilët përbajnë ma shumë se 90 për qind të popullsisë së Kosovës.

Në botën tonë moderne, sovraniteti nuk ashtë nji e drejtë stërgjyshore; sovraniteti ashtë mirëbesimi i shenjtë reciprok në mes të qeverisë dhe mbar popullsisë së nji vendi. Sllobodan Millosheviçi shkelmoi këtë mirëbesim kur ai u përpoq me spastrue etnicitetin e Kosovës dhe qeveritë serbe që erdhën ma vonë nuk banë diçka me rivendos atë mirëbesim. Beogradi dëshironte vetëm sundimin mbi Kosovën, jo të lejonte kosovarët me u vetëqeveris.

Na jetojmë në nji botë ku historia ka peshë, por edhe qeniet njerëzore peshojnë gjithashtu. Kosova nuk mund të mbetej ma gjatë nji kujtim tokësor i së kaluemes së lavdishme imperiale. Kështu, me zgjidhë problemin e statusit të Kosovës nëpërmjet nji deklarate unilaterale të pavarësisë së Kosovës, nuk ashtë nji zgjidhje ideale. Unë besoj se ishte nji zgjidhje e nevojshme dhe jam kryenaltë që Shtetet e Bashkueme të Amerikës kanë qenë nga të parat vende që kanë njohë zyrtarisht shtetin e pavarun të Kosovës.

Qeveria e re e Kosovës duhet të ruej trashëgiminë e madhnueshme të së kaluemes serbe në Kosovë, por na duhet të mbrojmë të ardhmen e Kosovës. Qeveria e Kosovës, e zgjedhun demokratikisht, ka pranue nji mbrojtje të fortë të pakicave etnike në Kosovë dhe ka fillue nji seri takimesh që synojnë pajtimin me serbët e Kosovës. Populli i Kosovës ka tregue se çfarë vendi duen ata të krijojnë. Nëse dalin me sukses, Kosova do të përparojë.

Nuk ashtë nji ndërmarrje e lehtë. Kosova përballet me vështirësi epike, si niveli i naltë i papunësisë, korrupsioni i tejpërhapun dhe tensionet që akoma vazhdojnë. Por vendi zotënon rezerva dhe energji të mëdha, nji popullsi të re dhe dëshirën me ndërtue nji atdhe me shumicë myslimane demokratike në nji shtet properëndimor. Nëse populli i saj vazhdon me mbrojtë të drejtat e njeriut dhe me luftue korrupsionin, udhëheqësit kosovarë do të meritojnë përkrahjen tonë të plotë në përpjekjet e tyne me u antarësue në shoqëninë e kombeve dhe në institucionet euroatlantike. Beogradi duhet të marrë hapat e duhun, me të cilët edhe vendet tjera ballkanike do të vlerësojnë përparimin e tyne për anëtarësim në BE dhe NATO.

E kundërta ka ndodhë! Serbët kanë ra viktimë e udhëheqësve të tyne, të cilët, me citue Abba Eban, “nuk kanë humbë rastin me prishë nji mundësi…” Në vend që të ecet përpara me guxim drejt Europës, udhëheqësit e Beogradit ngulin kambë mbi të kaluesen, që përfaqëson vetëm nji politikë që pruni shkatërrim.

Unë jam veçanërisht i zhgënjyem me aktet e zyrtarëve të qeverisë serbe që erdhën në fuqi mbasi rrëzuen nga froni nji tiran, por kanë fillue tashti të ndjekin të njajtat taktika dhe bajnë po ato deklarata, që ata vetë kundërshtuen pak kohë ma parë. Refuzimi i vazhdueshëm i Kryeministrit Koshtunica me thirrë për arrestimin e kriminelëve të luftës të arratisun, si dhe refuzimi i tij me firmue Marrëveshjen e Stabilitetit dhe Shoqënimit me Bashkimin Europian, kanë damtue randë standardin ndërkombëtar të Beogradit. Udhëheqës të tjerë serbë kanë qenë ma pak shkelës të rregullave me aksionet e tyne, por kanë dështue megjithatë në marrjen e nji qëndrimi që mund të lejojë ecjen përpara të vendit tyne.

Dhuna që u përdor mbas deklaratës së pavarësisë së Kosovës ishte e parapame, e evitueshme dhe si rezultat i disa individëve që ndezin gjakrat e egërsisë publike dhe mospranimin e përgjegjësisë për rrjedhimet që pasuen. Qeveria e Serbisë duhet të ndalojë përdorimin e pavarësisë së Kosovës si shfajsim për damtimet që i shkaktojnë kombit tyne.

Serbia duhet të fillojë procesin e eliminimit të politikës saj të dështueme në këto 15 vitet e fundit dhe me fillue rrugën e nji të ardhmje si pjesë e Europës.

Na nuk mund të lejojmë ngërçin qeveritar që ka kap Beogradin të përhapet edhe në Kosovë e Bosnje-Hercegovinë. Amerikanët, europianët dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë kanë investue shumë, me qellim që të mos shohim ambiciet demokratike të këtyne vendeve të mbyten që në lindje.

Çdo përpjekje nga ana e Beogradit me mbjellë kaos në Kosovën e Veriut, ose në Republika Srpska të Bosnjës duhet kundërshtue menjëherë dhe me vendosmëni nga BE dhe NATO. Aktet serbe duhet të influencojnë vendimet e investuesve të huej, të cilët mund të kenë në program projekte në atë vend.

Për tetë vjet me radhë, populli i Kosovës – dhe i gjithë rajoni- janë përpjekë me ndërtue ekonomitë dhe shoqënitë e tyne mbi bazat e nji pasigurie. Sot, na kemi mundësi me heqë velin e dyshimit. Europianët dhe amerikanët duhet të ndërgjegjësohen për thirrjet që vijnë me kërkesa për nji mosangazhim të përkohshëm nga rajoni, tashti që Kosova ashtë shtet më vete. Tensionet do të vazhdojnë me u ngritë gjatë këtyne muejve të ardhshëm. Qoftë edhe në kondita e rrethana ideale, ruejtja dhe stabiliteti në Gadishullin Ballkanik do të kërkojë ndihmën ekonomike të konsiderueshme për zhvillim, ruejtjen e paqes dhe diplomaci të fortë.

Unë pres që në të ardhmen të ndigjoj mendimet e dëshmitarëve, me mësue se si janë planet e Shteteve të Bashkueme të Amerikës për përkrahjen e Kosovës në këto ditë e javë sfiduese nga të papritunat para nesh.

Na duhet të pranojmë pavarësinë e Kosovës si nji gur piramide udhërrëfyes, ashtu siç ashtë në fakt. E mirëkuptueme si duhet, pavarësia e Kosovës do të heqë edhe gurin e fundit pengues (në rrugën e mirëkuptimit) që mbetet në mes të ballkanasve dhe nji të ardhmje paqësore me prosperitet.

Me nji mik të këtillë në Washington D.C., e ardhmja e Kosovës ashtë e sigurt!

Fjala e Senatorit Biden nuk kaloi pa efekt. Ishministri i Jashtëm i Sllovenisë, D.Rupel, me njohjen e pavarësisë së Kosovës deklaroi para votuesve sllovenë: “Ky vendim (i njohjes së pavarësisë së Kosovës) nuk ashtë kundër Serbisë. Sllovenia nuk e mori këtë vendim për interesat e saj; ne vendosim sot mbi bazën e politikës europiane e ndërkombëtare”, tha ai.

Kundërshtimi i fortë erdhi nga qëndrimet e Rusisë dhe Kinës komuniste.

Në këtë atmosferë të tensionueme, zyrtarët amerikanë i banë thirrje Serbisë me ndjekë rrugën që shpie në integrimin europian dhe jo në izolim. Nënsekretari i shtetit, diplomati Daniel Fried, reagoi kundër veprimtarive serbe që synojshin largimin e Serbisë nga Europa dhe pengimin e njohjes së Kosovës nga vendet europiane. “Pavarësia e Kosovës, theksoi ai, ashtë rezultat i thyemjes së Jugosllavisë në shumë shtete trashëgimtare. Situata e Kosovës përfshin faktorë që nuk paraqiten në raste tjera…. Duhet të ndihmojmë Kosovën me forcue institucionet shtetnore moderne dhe funksionale. Duhet të ndihmojmë me krijue nji atmosferë të favorshme për investime dhe pak nga pak me zhdukë korrupsionin”… Ai i bani thirrje Rusisë për qetësi, në mënyrë që të ndigjohen këto fjalë pa asnji dyshim nga Serbia dhe nga serbët në Kosovë, raporton gazeta “ILLYRIA” (NY)

* * *

Me qëllim që të ndihmojmë zgjedhjen President të Shteteve të Bashkueme të Amerikës ish- nënpresidentin Joseph R. Biden, Jr. me 3 nandor 2020, nji grup aktivistësh demokratë shqiptaro-amerikanë ka formue grupimin e bashkëmendimtarëve të bashkësisë sonë dhe ka lëshue këtë “deklaratë”:

“ Na, të nënshkruemët, përkrahim Joseph R. Biden, Jr. në fushatën e tij për President të Shteteve të Bashkueme të Amerikës. N/Presidenti Joseph R. Biden, Jr. ka tregue vazhdimisht gjatë karrierës së tij nji afinitet të fortë për popullin shqiptar, nji angazhim me ndihmue të gjithë amerikanët në përpjekjet e tyne për sukses dhe nji devocion për institucionet tona demokratike. Shtetet e Bashkueme të Amerikës kanë sot nevojë për nji President të ardhshëm që personifikon këto cilësi. Përkrahja gjatë gjithë jetës së tij politike e dhanun për shqiptarët ka qenë veçanërisht impresionuese. Si udhëheqës në Kongres, ai përqafoi tranzicionin demokratik të Shqipërisë në demokraci dhe bani thirrje për Shtetet e Bashkueme të përkrahë zhvillimin e Shqipërisë që në ato ditë.

Kur populli i Kosovës luftonte për lirinë dhe pavarësinë e vet, Joseph R. Biden, Jr. mori anën e tyne. Kur qeveria serbe iu përgjegj kërkesave shqiptare me nji spastrim të egër etnik, Joseph R. Biden, Jr. mbështeti ndërhymjen ushtarake amerikane dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ka përkrahë gjithmonë demokracinë dhe të drejtat e njeriut për shqiptarët në të gjithë Ballkanin gjatë ushtrimit të detyrës së tij si Senator, ashtu edhe si N/President i Shteteve të Bashkueme…

Për këto arsye dhe shumë të tjera, na përkrahim Joseph R. Biden, Jr. për President të Shteteve të Bashkueme të Amerikës në këto momente kritike për kombin tonë dhe për botën mbarë”.

* Autori ashtë aktivist për të drejtat e njeriut. Ai voton demokrat.

panorama.