Bashkimi Evropian hetime kompanisë amerikane Google


Zyrtarët e Bashkimit Evropian për mekanizmat rregullatore kundër monopoleve njoftuan të martën se do të fillojnë një hetim ndaj planeve të kompanisë Google për të blerë kompaninë Fitbit.

Gjigandi amerikan i teknologjisë Google, entitet në pronësi të kompanisë Alphabet, shpreson të hyjë në tregun e teknologjisë që mbartet në trup, nëpërmjet blerjes së kompanisë Fitbit, me rreth 2.1 miliardë dollarë. Kompania Fitbit prodhon paisje inteligjente që mbahen si ora e dorës. Një sërë grupesh që mbrojnë privatësinë dhe të drejtat e konsumatorëve duan ta bllokojnë këtë shitje për shkak të shqetësimeve anti-monopol dhe të privatësisë.

Bashkimi Evropian dhe disa entitete të tjera thonë se janë të shqetësuar se kjo blerje do të rriste nivelit e të dhënave tek të cilat ka qasje kompania Google, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për kompanitë e tjera të konkurojnë me efikasitet në hapësirën e reklamimit në internet.

Komisioni ekzekutiv i BE-së deklaroi se “transaksioni i propozuar do të konsolidonte më tej pozitën e kompanisë Google në tregjet e reklamave në internet , duke rritur sasinë, tashmë të pamatë të të dhënave që kompania Google mund të përdorë për të personalizuar reklamat që dërgon dhe që shfaq”.

Komisionerja e BE-së për konkurrencën, Margrethe Vestager, shtoi se “hetimi synon të sigurohemi se kontrolli i kompanisë Google mbi të dhënat e mbledhura nga paisjet që mbarten në trup si rezultat i këtij transaksioni, nuk do të prishin konkurrencën”.