“Disa prokurorë nuk duhet të ishin në SPAK”/ Deklarata e Theo Jacobs që mërziti KLP-në


Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka dalë papritur mbrëmjen e së hënës me një deklaratë zyrtare kundër vëzhguesit ndërkombëtar në procesin e Vetting-ut, Theo Jacobs.

Ky i fundit më 16 korrik, kritikoi cilësinë jo të duhur të disa prej prokurorëve të SPAK, që sipas tij nuk duhej të ishin në atë detyrë. Gjatë seancës së vettingut për gjyqtarin Selim Kryeziu, Jacobs tha se “prokurorët e SPAK, që nuk duhet të ishin aty ngritën akuza për vepra penale që nuk ishin vepra penale”. Ai iu referua rastit të anëtarit të KPA-së, Luan Daci që në atë kohë u pezullua nga detyra për shkak të akuzës ngaj SPAK se kishte fshehur një shkarkim në formularin e dekriminalizimit, por që më vonë u hodh poshtë nga gjyakata.

Kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer KLP-së që reagoi sot duke thënë se “të gjithë prokurorët e SPAK e kanë kaluar vettingun (sferë në të cilën punon dhe përfaqësuesi i ONM-së Jacobs)”.

“Në një përpjekje për të përzgjedhur prokurorët më të mirë, ne zhvilluam një proces tepër kërkues dhe transparent i cili zgjati plot 9 muaj. Në kuadër të atij procesi ne verifikuam në detaj profesionalizmin dhe integritetin e të gjithë kandidatëve. Kujtojmë se pavarësisht verifikimeve tona të thella, kushti mbi kushtet për të gjithë kandidatët ishte kalimi me sukses i sprovës se vetting-ut. Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK e kanë kaluar këtë sprovë”, – lexohet në deklaratën e KLP-së.

“Pikërisht në funksion të garantimit të këtij besimi (nga publiku), pa të cilin institucionet e drejtësisë nuk mund të funksionojnë në asnjë vend të botës, deklaratat publike (qofshin edhe personale) që venë në dyshim integritetin dhe/ose profesionalizmin e prokurorëve janë të qortueshme pasi sistemi ynë ligjor ofron mjete dhe procedura të përshtatshme për trajtimin e çdo pretendimi që lidhet me profesionalizmin dhe integriteti i prokurorëve” – thotë KLP.

“Çdo pretendim i këtij lloji nuk mund të trajtohet veçse në mënyrën e parashikuar nga ligji dhe në institucionet e parashikuara nga ligji. Në të kundërtën çdo diskutim është i destinuar të jetë vetëm një opinion që vetëm cenon në mënyrë të padrejtë imazhin, edhe kështu të brishtë, të institucioneve të reja të drejtësisë” – thotë KLP. ©LAPSI.al