A mundet që një aparaturë të zbulojë koronavirusin në pak sekonda?


Një spital në qytetin jugor francez, Lion po teston pacientët për koronavirus me një aparaturë të re. Pajisja u mundëson atyre të marrin frymë përmes një tubi për të gjetur brenda pak sekondash nëse kanë COVID-19.

Test për koronavirusin në pak sekonda? Pikërisht këtë po përpiqet të arrijë një spital në qytetin e Lionit me një aparaturë të re.

Aparatura po hyn në një fazë të dytë të provës, pas tre muajsh testime tek dhjetëra njerëz. Në dallim nga testet standarde ndonjëherë të pakëndshme, ajo nuk përfishin objekte të tjera dhe siguron një rezultat të menjëhershëm.

“Me këtë lloj testi të shpejtë, ne do t’i kemi rezultatet menjëherë dhe pastaj mund të lëvizim pacientin në zonën e duhur të spitalit. Përfitimi i dytë është se duke qenë se kemi disa trajtime të efektshme, sa më shpejt ta bëjmë diagnostikimin, aq më shpejt mund ta nisim trajtimin”.

Mjeku thotë se ai shpreson ta ketë aparaturën plotësisht funksionale deri në fund të vitit. Edhe drejtori i studimeve në spital, Christian George, thotë se ata po lëvizin në drejtimin e duhur.

“Ne mendojmë se jemi në rrugën e duhur, natyrisht do të vazhdojmë të testojmë hipotezat tona, por tani për tani, jemi jashtëzakonisht të sigurt”.

Por aparatura nuk është pa të meta. Bruno Lina, ekspert i pavarur për virusin, i cili ka dhënë mendimin e tij professional për aparaturën, tha se në këtë fazë, është shumë e shtrenjtë për shpërndarje të gjerë në spitale.

“Disavantazhi i kësaj aparature është në fakt financiar. Kjo aparaturë është shumë e shtrenjtë dhe nga sot ne nuk mund të pajisim të gjitha departamentet spitalore me një pajisje si kjo.”

Në disa raste, njerëzit që testohen për koronavirus presin me ditë të tëra, deri në një javë, për të mësuar nëse janë ose jo të infektuar, sepse laboratorët janë të mbingarkuar për shkak të kërkesës së madhe. NGA VOA