Në Uashingtonin e përçarë, fillon debati për Planin e Ri të Ndihmës ndaj Koronavirusit


Ligjvënësit amerikanë u kthyen në Uashington të hënën, duke u përballur me negociata të rëndësishme me Presidentin Donald Trump mbi përmasat e një pakete të re fondesh për të luftuar pasojat e mëdha shëndetësore dhe ekonomike të pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.

Numri i infeksioneve të konfirmuara rishtazi u rrit në 70,000 në ditë javën e kaluar në SHBA, dhe ndihma federale prej 600 dollarësh në javë për miliona të papunë skadon në fund të korrikut. Por presidenti Trump dhe aleatët e tij republikanë në Kongres dhe demokratët e opozitës nuk kanë arritur ende një konsensus se çfarë ndihme të re të miratojnë dhe sa para të shpenzojnë.

Muaj më parë, Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi miratuan një paketë ndihme prej më shumë se 3 trilion dollarësh, dhe pati një marrëveshje të pazakontë dypartiake. Por tani, në atë që ka të ngjarë të jetë marrëveshja e fundit për shpenzimin për koronavirusin para zgjedhjeve presidenciale dhe të Kongresit në 3 nëntor, presidenti Trump, ligjvënësit republikanë dhe demokratët po shprehin një varg përparësish që duhet tu japin zgjidhje para se Kongresi të largohet nga Uashingtoni në tre javë për pushimin vjetor të gushtit. Kongresi nuk do të kthehet deri në shtator.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë

Trump u takua të hënën me dy republikanët kryesorë, udhëheqësin e shumicës në Senat Mitch McConnell dhe udhëheqësin e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy, së bashku me sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin, përpara se të fillojnë ato që pritet të jenë negociata kundërshtuese me liderët demokratë.

Mnuchin tha se plani i ri i shpenzimeve do të përqendrohej tek kthimi në shkolla i fëmijëve, vendet e punës dhe vaksinat.

“Ne duam të sigurohemi që njerëzit që mund të shkojnë në punë të sigurtë, ta bëjnë këtë,” u tha Mnuchin gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Ne do të japim kredi tatimore që do të stimujë bizneset t’i rikthejnë njerëzit në punë.”

Në një përpjekje për të nxitur mëkëmbjen ekonomike, senatori McConnell dëshiron dispozita që frenojnë përgjegjësitë ligjore për bizneset dhe punëtorët nga pretendimet se kanë infektuar klientët me koronavirus. Trump ka bërë thirrje për heqjen e përkohshme të taksës prej 7.65% mbi pagat e punëtorëve, nga e cila do të përfitonin ata që janë duke punuar, por jo më shumë se 17 milionë të papunë në Sh.B.A. sepse ata aktualisht nuk kanë paga për tu taksuar.

Përfitimet e papunësisë

Ndërkohë, ligjvënësit demokratë dëshirojnë të zgjasin ndihmën federale prej 600 dollarësh në javë në përfitime më pak bujare të papunësisë nga shteti, deri në fund të vitit 2020 dhe të ofrojnë më shumë ndihma për qeveritë shtetërore dhe lokale për të qetësuar krizën e koronavirusit.

Disa republikanë duan të ndërpresin pagesat fedrale të papunësisë, duke thënë se ato i dekurajojnë punonjësit të kthehen në punë, sepse disa punonjës kanë përfituar më shumë para nga ndihma federale për papunësinë sesa pagat që marrin kur punojnë.

Disa ligjvënës kanë sugjeruar një kompromis, duke shtrirë përfitimet e papunësisë por duke i shkurtuar ato nga 200 deri në 400 dollarë në javë ose duke i kufizuar për punëtorët që paguheshin më pak para se të pushoheshin nga puna.

President Donald Trump, Senate Majority Leader Mitch McConnell
President Donald Trump, Senate Majority Leader Mitch McConnell

McConnell ka thënë se një marrëveshje e re e shpenzimeve për koronavirusin mund të arrijë në rreth 1 trilion dollarë, por demokratët duan një plan shumë më të madh, më shumë në përputhje me paketën 3 trilion dollarë që Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga Demokratët e miratoi në mes të majit. Kjo paketë, sidoqoftë, është bllokuar në Senatin e kontrolluar nga republikanët, ndërsa demokratët kanë bërë thirrje për miratimin e tij.

Në një intervistë në emisionin “Fox News Sunday”, Trump rekomandoi mbrojtjen e bizneseve ngja përgjegjësia.

“Bizneset do të paditen vetëm se dikush hyn brenda,” tha Trump. “Ju nuk e dini se nga vjen ky virus. Ata do të ulen në një restorant dhe do të padisin restorantin, që pastaj falimenton. “

Ai gjithashtu tha se policia ka nevojë për imunitet nga paditë ndaj koronavirusit.

Trump gjithashtu tha se ai “do të konsideronte” mos nënshkrimin e paketës nëse ajo nuk përfshin uljen e taksës së pagave.

Agjencitë e lajmeve në SHBA kanë raportuar se disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë duan të shkurtojnë fondet shtesë për më shumë testime të koronavirusit, por demokratët dhe disa republikanë dëshirojnë të kundërtën: më shumë para për testimin dhe gjurmimin e kontakteve të të infektuarve.

Negociatat

Edhe pse Trump dhe ligjvënësit republikanë dhe demokratë kanë parashtruar përparësitë e tyre të shpenzimeve, nuk ka pasur negociata për një paketë kolektive për koronavirusin. Por, me mbarimin e ndihmës së papunësisë dhe numrin e rasteve të reja të koronavirusit, ka një mirëkuptim të përgjithshëm për nevojën për të rënë dakord për një plan para se Kongresi të niset për pushimin e tij veror.

Arritja në atë pikë në Uashingtonin politikisht të ndarë mund të jetë e vështirë, veçanërisht me zgjedhjet në pak më shumë se tre muaj.

Udhëheqësi i Pakicës në Senat, Chuck Schumer tha në fund të javës së kaluar se ai nuk kishte dëgjuar ende asgjë nga McConnell ose Mnuchin.

“Senatori McConnell po përpiqet të hartojë një projekt-ligj në zyrën e tij,” tha Schumer. “Por ai e di që një projektligj i hartuar nga republikanët nuk do të bëhet ligj. … McConnell e di nga përvoja e mëparshme se për të miratuar një projekt-ligj në Senat, ai duhet të punojë mes palëve. “VOA