Dy protestat/ Me polici kundër atyre që duan të luajnë muzikë


Dy protesta, një të hënën në mbrëmje dhe një të martën në mesditë, janë zhvilluar para kryeministrisë pas aktit normativ të qeverisë për të mbyllur diskot dhe lokalet e natës si dhe për të ndaluar muzikën pas orës 20.00. Vendimi është pritur me reagime të shumta, pasi ai u jep dërrmën e fundit këtyre bizneseve të goditura rëndë nga izolimi i gjatë i periudhës mars- maj.

“Na jeto ti me kaq lekë, hajde jeto ti. Çfarë do ha unë, asnjë mos të më prekë me dorë se jam për copë buke unë këtu, nuk jam legen, nuk jam rrugaç”, u dëgjua t’i thoshte sot live një protestues policëve që donin ta ndalonit të shprehte revoltën e tij.

Edhe gjatë ditës së djeshme pati një protestë përpara kryeministrisë, të cilës Rama iu përgjigj me nota ironike dhe fyese.

“E pakonceptueshme që ka njerëz që ngrenë zërin pse ministria e Shëndetësisë shtrëngoi masën për klubet e natës e diskot, ndërkohë që hapja e tyre nuk është lejuar asnjë ditë pas rihapjes së madhe! Zoti i ruajtë ata e familjet e tyre prej tyre dhe ruajtë të tjerët nga këto mendje!”, shkruante Rama në Twitter.