SHBA përballë vendimit të vështirë për rihapjen e shkollave


Administrata Trump po kërkon me këmbëngulje rihapjen e shkollave në vjeshtë. Por shumë distrikte shkollore në Shtetet e Bashkuara ndeshen me vështirësi që po vënë në pikëpyetje rihapjen pa rrezik. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Baragona e analizon këtë dilemë përmes situatës në distriktin shkollor të Los Anxhelosit:

Në Los Anxhelos të Kalifornisë shkollat katolike po përgatiten për rikthimin e nxënësve.

Luis Hayes është drejtori i Shkollës St. Joseph.

“Për momentin, kemi në plan të kthehemi në klasa, por me masa mbrojtëse. Bankat nga 2 metra larg njëra-tjetrës, panele mbrojtëse, maska dhe do të bëjmë kontrolle për temperaturën”.

Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të presë fondet për shkollat që nuk rihapen.

Por në kushtet e shtimit të ritmeve të infektimit në Los Anxhelos, Shefi i Distriktit Shkollor Austin Beutner thotë se shkollat publike do të zhvillojnë mësime vetëm online.

“Viti i ri shkollor fillon në gusht, por nuk do të fillojë në mjedise shkollore. Shëndeti dhe siguria e komunitetit nuk mund të kompromentohet,” thotë zoti Beutner.

Nuk është një vendim i thjeshtë. Ekspertë të shëndetit dhe arsimit thonë se është më mirë për fëmijët të jenë në shkolla. Mësimi nga shtëpia nuk funksionon për shumë nxënës. Ata po ndeshin problem si në aftësitë akademike, ashtu edhe sociale.

Me mbylljen e shkollave shumë fëmijë kanë humbur jo thjesht mësimin në klasë, por shumë më tepër, thotë Dr. Robert Redfield.

“Shumë fëmijë nuk kanë më qasje në specialistë të shëndetit mendor, apo nu khanë si duhet pasi në shtëpi kanë mungesa. Në raste të tjera shkolla është institucioni që bën raportime për abuzime seksuale apo fizike që po ndesh fëmija,” thotë Dr. Redfield, drejtor i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Rreziku për infektim, sëmundje të rëndë apo vdekje nga COVID-19 për fëmijët është shumë më i ulët se për të rriturit. Por mësuesit dhe personeli janë të rrezikuar.

Mësuesit duan të rikthehen në klasë, por nuk është akoma situatë e sigurtë, thotë presidentja e Shoqatës Kombëtare për Arsimin, Lily Eskelsen García.

“Dua që Presidenti Trump të ulet në fund të klasës me 39 nxënës dhe të thithë ajrin për shtatë orë radhazi, pesë ditë në javë dhe të durojë kollitjet e teshtimat e fëmijëve në fytyrë”.

Shkollat në Gjermani, Kore të Jugut dhe vende të tjera janë rihapur me masa të reja: panele ndarëse, maska dhe kontroll të temperaturës, distancim fizik mes nxënësve dhe masa për higjenën e duarve.

Në këto vende nuk ka pasur vatra infeksioni në shkolla. Por këto vende i rihapën shkollat pasi e kishin vënë epideminë nën kontroll, thotë Dr. Jennifer Nuzzo e Universitetit Johns Hopkins.

“Në komunitete ku numrat po rriten me shpejtësi, mund të mos jetë e mundshme rihapja deri kur ritmet e infeksionit të bien. Kjo është shumë e rendësishme,” thotë Dr. Nuzzo.

Mbeten pak javë deri në fillimin e vitit të ri shkollor. Vështirë që kjo peridhë të lejojë kohë të mjaftueshme për të vënë nën kontroll epideminë dhe për të përgatitur mjediset shkollore për kthimin e nxënësve.voa