COVID-19, mbingarkohen spitalet në jug dhe perëndim të SHBA


Në Shtetet e Bashkuara të enjten u njoftua një shifër rekord ditore, prej më shumë se 64 mijë rastesh me koronavirus, më e larta që prej fillimit të pandemisë. Njësitë e kujdesit intensiv janë të mbingarkuara në spitalet në perëndimin dhe jug të vendit si Arizona, Kalifornia, Florida dhe Teksasi shtete që kanë shënuar së fundmi një rritje të rasteve të reja me COVID-19.

Zyrtari më i lartë në vend për sëmundjet infektive Anthony Fauci, u ka kërkuar guvernatorëve që t’i shtyjnë planet për rihapje të ekonomisë, në mënyrë që të ndalojnë përhapjen e mëtejshme të virusit. Të premten universiteti Johns Hopkins njoftoi më shumë se 12 milionë 291 mijë të prekur nga koronavirusi në mbarë botën që prej fillimit të pandemisë, 3 milionë nga të cilët në SHBA.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur ta rrafshojnë trajektoren e koronavirusit, Presidenti Donald Trump vazhdon të bëjë presion për hapjen e shkollave. Ka ende pikëpyetje rreth asaj se sa e sigurt do të ishte hapja e tyre për fëmijët dhe personelin pedagogjik.

Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka krijuar një komision të pavarur për të analizuar reagimin ndaj pandemisë. Shefi i OBSH tha se komisioni do t’i japë mundësi botës “të kuptojë të vërtetën për rrjedhën e ngjarjeve dhe zgjidhjet për të krijuar një të ardhme më të mirë për njerëzimin”.

Njoftimi i shefit të OBSH-së pasoi kritikat e Presidentit Trump ndaj organizatës ndërkombëtare për reagimin e saj ndaj pandemisë duke deklaruar të martën tërheqjen zyrtare të SHBA nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ky hap u kritikua nga aktivistë të shëndetit publik dhe kundërshtarë të presidentit.VOA