Fshihen tabelat ne jug nga gjuha greke.


Ndërkohë që diskutohet projektligji për minoritetet dhe njohja e tyre si te tille edhe me 300 persona, kreu i PBDNJ Vangjel Dule denoncon një ngjarje të ndodhur në Finiq që sipas tij nxit po urrejtje etnike.
Dule shkruan në twiter se prej ditësh, në shumicën e tabelave dygjuhëshe, të vendosura nga autoriteti rrugor përgjatë rrugës nacionale që përshkon bashkinë Finiq, janë fshirë emërtimet në gjuhën greke dhe ky fenomen nuk ndodh për herë të parë.

Për kreun e PBDNJ kjo është një vepër penale dhe shton se pushteti vendor hesht, drejtësisë nuk i shkon ndërmend, qeveria mbyll sy dhe veshë.

Dule i bën thirrje siç e quan ai spektrit evropian të politikës, opinionit të shëndoshë publik dhe medias që së bashku t’i presin rrugën një herë e përgjithmonë fenomeneve të tilla, autorëve dhe frymëzuesve të tyre.

“Prej ditësh, në shumicën e tabelave dygjuhëshe, të vendosura nga autoriteti rrugor përgjatë rrugës nacionale që përshkon bashkinë Finiq, janë fshirë emërtimet në gjuhën greke, gjuha amëtare e pjesëtarëve të minoritetit etnik grek. Ky fenomen nuk ndodh për herë të parë.

Dhe megjithëse një akt i tillë:

1)përbën vepër penale

2)shkel frymën dhe germën e legjislacionit vendas dhe konventave ndërkombëtare për te drejtat e minoriteteve

3)dëshmon dhe nxit urrejtje etnike, pushteti vendor hesht, drejtësisë nuk i shkon ndërmend, qeveria mbyll sy dhe veshë.

Thirrja jonë për spektrin sinqerisht evropian të politikës, opinionin e shëndoshë publik dhe mediat është që së bashku tu presim rrugën një herë e përgjithmonë fenomeneve të tilla, autorëve dhe frymëzuesve të tyre,”-shkruan Dule.

saranda.web