Ambasadorja e SHBA kundër PS: Marrëveshja për “Zgjedhoren” duhet miratuar siç është


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim thotë se më 5 qershor, palët ranë dakord dhe kanë hartuar ligjet që kodifikojnë marrëveshjen për Kodin Zgjedhor ndërsa shtoi se aty nuk mund të ndodhin më ndryshime të tjera kur reforma të kalojë për miratim në Kuvend.

“Është e ndërlikuar sepse, mendoj, opozita që është jashtë parlamentit bëri një gabim. Nuk duhet të kishin ikur. Thënë kjo, ata fituan shumë vota në zgjedhjet e fundit pra qartësisht përfaqësojnë një pjesë domethënëse të popullsisë.

Pra duhet të jenë pjesë e diskutimit, ndaj mendoj se ishte diçka shumë e mirë që u kthyen në tryezë për të negociuar çështjen e reformës zgjedhore. Në të njëjtën kohë, opozita që qëndroi në parlament bëri saktësisht gjënë e duhur. Në një kuptim, ata shpëtuan demokracinë shqiptare.

Dhe sigurisht, shumica është shumica. Ajo që di është se më 5 qershor, palët ranë dakord dhe, me sa di, kanë hartuar ligjet që kodifikojnë marrëveshjen që arritën dhe kjo është diçka e mirë. Pritshmëria ime është që do ta ruajnë atë. Është e patjetërsueshme” – tha ambasadorja në një intervistë për “Real Story” në News24.