Infeksionet e reja të koronavirusit në SHBA, pranë shifrave rekord


Volunteers prepare donations for delivery to those affected by COVID-19 on tribal lands on June 25, 2020, in Tempe, Ariz.

Numri i infeksioneve të reja me koronavirus në një ditë në Sh.B.A është pranë niveleve rekord pasi qeveria njoftoi se më shumë se 20 milion njerëz mund të ishin prekur nga virusi.

Sipas gazetës Uashington Post, shtetet amerikane raportuan 38.111 raste të reja të mërkurën, totali më i lartë një ditor që nga fillimi i shpërthimit i virusit në dhjetor.

Universiteti Johns Hopkins regjistroi 34.300 raste të mërkurën, shumë pranë rekordit të raportuar prej 36.400 rastesh më 24 prill.

Drejtori i Institutit Shëndetësor Global të Harvardit, Ashish Jha tha në një intervistë të enjten për emisionin “Today” të rrjetit NBC se rritja e fundit e infeksioneve në Sh.B.A ishte për shkak të rihapjes së parakohshme të ekonomisë së vendit, ndërsa mungojnë procedurat e duhura të sigurisë.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë të administratës amerikane i thanë një grupi të vogël gazetarësh të mërkurën në mbrëmje se 20 milion njerëz në Amerikë, rreth 6% e popullsisë së vendit, mund të ishte infektuar me COVID-19, shifër 10 herë më e lartë nga ajo zyrtare.

Zyrtarët thanë se vlerësimi nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve bazohet në një ekzaminim shkencor të serumit të gjakut që përcakton praninë e antitrupave. Nëse kjo llogaritje është e saktë, shifra sugjeron se numri i vdekjeve nga koronavirusi në SHBA është më i lartë se 122.100 vdekjet e raportuara nga Hopkins.

Shtetet e Bashkuara kanë rritur ndjeshëm testimet gjatë muajve të fundit, duke çuar me sa duket në zbulimin e shumë rasteve më pak serioze që mund të kenë kaluar pa u zbuluar më herët gjatë pandemisë, kur përparësia e testimit u jepej njerëzve që ishin më rëndë.

Në një shenjë inkurajuese, numri i vdekjeve një-ditore në Sh.B.A u zvogëlua javën e kaluar, por ulja nuk ishte në përpjesëtim të drejtë me rastet e reja.

Rekorde të reja një-ditore

Disa shtete amerikane, kryesisht shtete jugore dhe perëndimore, raportuan numrin e tyre më të lartë të shtrimeve në spital që nga fillimi i pandemisë në mars, përfshirë Teksasin, i cili regjistroi mbi 5,000 raste të reja, duke përfshirë mbi 4,000 shtrime në spital, dhe Kalifornia, e cila raportoi 7,000 raste të reja.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbot tha të enjten se shteti do të vonojë planet e rihapjes për të frenuar infeksione të reja. Ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke pezulluar operacionet jo urgjente në spitale në katër qarqe për të garantuar hapësirë të përshtatshme për pacientët me koronavirus.

Shteti i Nju Jorkut, i cili u godit rëndë nga pandemia, po kërkon që vizitorët që vijnë nga tetë shtete të hyjnë në një periudhë karantine dy-javore.

Urdhri i shpallur të mërkurën nga guvernatori Andrew Cuomo vlen për banorët e shteteve të Alabamës, Arizonës, Arkansas, Florida, Karolina e Veriut, Karolina e Jugut, Teksasi dhe Juta. Të gjitha këto shtete kanë raportuar një numër në rritje të rasteve të reja javët e fundit.

Ndërsa virusi po shtohet përsëri në Sh.B.A dhe zona të tjera në mbarë botën, disa qeveri vendosën kufizime të reja vetëm disa javë pas heqjes së izolimeve, madje edhe pasi zonat e tjera i lehtësuan këto masa.

Virusi në botë

Portugalia njoftoi të enjten se banorët në disa pjesë të Lisbonës do të duhet të fillojnë të qëndrojnë përsëri në shtëpi javën e ardhshme pasi autoritetet panë një rritje të rasteve të koronavirusëve në periferi të qytetit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të enjten se ka pasur një rritje javore të rasteve në 11 vende evropiane për herë të parë në disa muaj.

Amerika Latine është bërë epiqendra më e re në botë për COVID-19 me numrin rajonal të vdekjeve që tejkalon shifrën 100,000, me më shumë se gjysmën, 54,000, në Brazil.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus thotë se numri i rasteve të koronavirusëve në të gjithë botën mund të arrijë në 10 milion javën e ardhshme, një rritje e mprehtë nga 9.3 milion raste, përfshirë mbi 482,000 vdekje, të raportuara aktualisht.VOA