SHBA, Gjykata e Lartë vendos për deportimet


Gjykata e Lartë e SHBA i dha sot administratës së presidentit Donald Trump më shumë mundësi për të deportuar me shpejtësi imigrantët e paligjshëm, duke përfshirë azilkërkuesit që janë në proces shqyrtimi të kufizuar nga gjykatat.

Vendimi shënon një fitore për Presidentin Trump në njërën nga çështjet më të rëndësishme për të në këtë vit zgjedhjesh.

Gjyqtarët votuan 7 me 2 në favor të administratës në çështjen e apeluar nga një gjykatë më e ulët, e cila kishte arritur në përfundimin se fermeri nga Sri Lanka, Vijayakumar Thuraissigiam, gëzonte të drejtën që një gjyqtar të shqyrtonte çështjen e trajtimit të kërkesës së tij për azil nga qeveria.

Vendimi i Gjykatës së Lartë, i hartuar nga anëtari konservator Samuel Alito, konstaton se kufizimi i procesit gjyqësor në çështjen e deportimit të shpejtë të tij nuk shkel masat mbrojtëse për liritë e individit siç përcaktohen nga Kushtetuta e SHBA.

Dy nga katër anëtarët liberalë të gjykatës, Stephen Breyer dhe Ruth Bader Ginsburg, u bashkuan me pesë gjyqtarët konservatorë.

Administrata e Presidentit Trump ka thënë se imigrantët që kërkojnë azil nuk kanë asnjë të drejtë kushtetuese dhe se historikisht Kushtetuta nuk ka përcaktuar që një imigrant të ketë qasje në atë lloj shqyrtimi nga gjykata të kërkuar nga Thuraissigiam.VOA