Vjosa Osmani shkarkohet nga funksionet në Lidhjen Demokratike të Kosovës


Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës shkarkoi të shtunën mbrëma nga të gjitha funksionet partiake, zonjën Vjosa Osmani, që është nënkryetare e kësaj partie dhe njëherësh kryetare e parlamentit të Kosovës.

Vendimi pasoi propozimin e kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa, për të liruar nga detyra e nënkryetares dhe anëtares së kryesisë, Vjosa Osmanin dhe emërimin e Avdullah Hotit, aktualisht kryeministër aktual i Kosovës në pozitën e nënkryetarit të partisë.

Shkarkimi bë me votim nëpërmjet postës elektronike. Në një njoftim të Lidhjes Demokratike thuhet se “sa i përket propozimit për lirimin e znj. Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe nga Kryesia e LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 95 anëtarë, prej tyre 70 janë shprehur për (Po); 16 janë shprehur kundër (Jo), 9 kanë abstenuar dhe 28 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”.

Ndërkaq lidhur me propozimin që zoti Avdullah Hoti të jetë nënkryetar i LDK-së, “nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 99 anëtarë, prej tyre 92 janë shprehur për (Po); 3 janë shprehur kundër (Jo), 4 kanë abstenuar dhe 24 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Zonja Osmani duke reaguar ndaj vendimit tha se po përjashtohet e diferencohet për shkak të mbajtjes së fjalës.

“Thashë kurrë me të korruptuarit, dhe ashtu mbeti; Thashë do t’i sjellim Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe ashtu mbeti; Thashë se nuk do ta përkrahë asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit, dhe ashtu mbeti. Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti; Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti; Pra, u diferencova e shkarkova sepse e mbajta fjalën. U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundërshtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar”.VOA