COVID-19/ Nga e hëna rihapen të gjitha fluturimet nga Rinasi


Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Autoritetin e Aviacionit Civil është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për rifillimin gradual dhe të sigurtë të aktivitetit të transportit ajror.
Njoftohet se duke nisur nga 22 qershor 2020, nga Rinasi do të fillojnë veprimet për operimin e fluturimeve të rregullta ndërkombëtare, në destinacionet, sipas skedulave që do të miratohen dhe komunikohen nga Autoriteti i Aviacionit Civil në vijim.

Njoftim i plotë

Në kuadër të iniciativave për ringritjen e industrisë së aviacionit civil në Shqipëri, pas vështirësive që rezultuan nga situata e paprecedent e COVID- 19, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Autoritetin e Aviacionit Civil është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për rifillimin gradual dhe të sigurtë të aktivitetit të transportit ajror. Prioritet i veprimtarisë në kontekstin në fjalë është rivënia në funksionim e transportit ajror në përputhje me rregullat parandaluese dhe mbrojtëse të sigurisë së shëndetit, hartuar sipas rekomandimeve dhe udhëzimeve të organizmave ndërkombëtarë të aviacionit civil dhe atyre të shëndetit publik. Duke mirëkuptuar e mbështetur dëshirën dhe nevojën e shoqërive ajrore që kanë skeduluar fluturime të rregullta ndërkombëtare për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, për të nisur sa më shpejtë aktivitetin e tyre, dëshirojmë të konfirmojmë se të gjitha përpjekjet po ndërmerren nga autoritetet shtetërore shqiptare për të mundësuar rifillimin e fluturimeve në mënyrë të koordinuar dhe të organizuar me shtetet partnere me të cilat zbatojmë Marrëveshje të Shërbimeve Ajrore.

https://ads.digitalbee.al/www/delivery/afr.php?zoneid=39&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE

Duke konsideruar deklaratën e Komisionit Evropian të datës 11 qershor 2020, sipas së cilës rekomandohet ndër të tjera heqja e kufizimeve të udhëtimit për Shqipërinë, Bosnje- Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, duke filluar nga 1 Korrik 2020 si dhe duke konsideruar angazhimet e disa shteteve të tjera të Zonës Shengen për të ndjekur të njëjtën qasje, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se duke filluar nga data 22 qershor 2020, do të fillojnë veprimet për operimin e fluturimeve të rregullta ndërkombëtare, në destinacionet, sipas skedulave që do të miratohen dhe komunikohen nga Autoriteti i Aviacionit Civil në vijim.

Përgjatë javës që fillon në datë 22 qershor 2020, për skedulat e aktivizuara, shoqëritë ajrore duhet të marrin masa e nevojshme për të mundësuar rezervimin e fluturimeve për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.

Shoqëritë ajrore duhet të bëjnë çdo përgatitje dhe të kenë gati planet e veprimit për zbatimin e detyrimeve të parashikuara në Protokollin e Operimit të Transportit Ajror, të miratuar me Urdhërin Nr.169, datë 5 qershor 2020, të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkaq Autoriteti i Aviacionit Civil do të monitorojë rigorozisht zbatimin e këtyre masave.

Operatorët ajrorë që operojnë për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës do të jenë përgjegjës për të informuar pasagjerët për kufizimet e mundshme në fuqi për nisjet nga TIA për në aeroportin e destinacionit të synuar, si dhe për kërkesat që përmbahen në Protokollin e Operimit të Transportit Ajror, si dhe të rregullave të kujdesit dhe sigurisë së shëndetit në aeroportin e destinacionit.

Përtej lajmit të shumëpritur për rinisjen e fluturimeve ajrore Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Autoritetin e Aviacionit Civil do të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm që të garantohen operimet e sigurta, eficiente dhe mbi të gjitha siguria e shëndetit të punonjësve të këtij sektori dhe ajo e pasagjerëve