Mali i Zi me vendim të ri për hapjen e kufirit – kosovarët duhet të jenë të pajisur me një test negativ për coronavirus

Trupi Koordinues Kombëtar për Sëmundjet Infektive (NCD) i Malit të Zi, sot ka marrë një vendim të cilin e kanë quajtur si “strategjik për hapjen e mëtejshme të Malit të Zi, në përputhje me ruajtjen e politikës të nivelit më të lartë të mbrojtjes së qytetarëve, të huajve që jetojnë në vend dhe turistëve”.

Veç kësaj, vendimi thuhet se ka të bëjë edhe me krijimin e parakushteve për normalizimin e ekonomisë së prekur nga pandemia e coronavirusit.

Në këtë drejtim, përcjell Telegrafi, me propozimin e Institutit të Shëndetit Publik, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Malit të Zi, u miratuan një sërë kriteresh për të rritur disponueshmërinë e Malit të Zi, për të hapur kufijtë dhe për të bërë të mundur trafikun ndërkombëtar pa pengesa me masa për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.

Siç thuhet më tej, qasja e re bazohet në parimin e mosdiskriminimit, fleksibilitetit dhe qasjes së përbashkët dhe të koordinuar, duke shtuar se Mali i Zi, po zbaton masa në komunikimin dhe shkëmbimin e të dhënave epidemiologjike me vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet e tjera kandidate.

Kështu që, siç bëhet e ditur në vendim, ndër vendet, banorët e të cilëve mund të hyjnë në Mal të Zi pa kufizime janë edhe: Australia, Austria, Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Finlanda, Greqia, Holanda, Kroacia, Indonezia, Irlanda, Islanda, Timori Lindor, Xhamajka, Japonia, Jordania, Koreja e Jugut, Sudani i Jugut, Kamboxhia, Kameruni, Kina, Qipro, Kuba, Laosi, Letonia, Libani, Libia, Lituania, Luksemburgu, Madagaskari, Hungaria, Malta, Malajzia, Mali, Maroku, Meksika, Gjermania, Norvegjia, Zelanda e Re, Bregu i Fildishtë, Palestina, Papua Guinea e Re, Paraguai, Sllovakia, Ruanda, Senegali, Sllovenia, Somalia, Shri Lanka, Sudani, Zvicra, Taxhikistan, Tajlanda, Togo, Trinidad dhe Tobago, Tunizia, Uganda, Uruguai, Uzbekistani, Venezuela, Vietnami, Zambia dhe Zimbabve.

Megjithatë, nga vendet, banorët e të cilëve mund të hyjnë në Mal të Zi me një rezultat negativ të testit në laboratorët e akredituar SARS-CoV-2, jo më shumë se 48 orë të vjetër janë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Turqia, Izraeli, Polonia, Rumania, Italia dhe Ukraina. /Telegrafi