Gjykata e Lartë hedh poshtë përpjekjen për t’i dhënë fund programit DACA


Ndajeni

Shiko komentet

 Print

Gjykata e lartë e Shteteve të Bashkuara të enjten hodhi poshtë përpjekjet e Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund mbrojtjes ligjore për 650,000 imigrantë të rinj, duke i dhënë një goditje presidentit në mes të fushatës së tij për rizgjedhje.

Tani për tani, këta imigrantë, të ardhur në vend në moshë të mitur, do të ruajnë statusin e tyre të mbrotjes nga dëbimi dhe autorizimin e tyre për të punuar në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Donald Trump kritikoi sot ashpër vendimet e fundit të Gjykatës së Lartë, duke i quajtur “të tmerrshme” dhe të ngarkuara politikisht. Ai iu referua me sa duket vendimit të sotëm për t’i dhënë fund mbrojtjeve ligjore për emigrantët, të njohur si “ëndërrimtarët” dhe një vendimi tjetër disa ditë më parë që homoseksualët dhe punëtorët transgjinorë të mbrohen sipas ligjeve federale të punësimit.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë pritet të intesifikojë diskutimet për këtë çështje në fushatën e Presidentit Trump, duke marrë parasysh retorikën e tij kundër imigracionit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe kufizimet ndaj imigracionit që administrata e tij ka vendosur që nga ajo kohë.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë kundërshtuan argumentet e administratës se Programi 8-vjeçar i DACA-s është i paligjshëm dhe se gjykatat nuk kanë asnjë rol në rishikimin e vendimit për t’i dhënë fund këtij programi.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts, u bashkua me anëtarët liberalë të gjykatës në mendimin se administrata e Presidentit Trump nuk ka ndjekur hapat e duhura për t’i dhënë fund programit DACA.VOA.