Censura që i shërben Edi Ramës/ Genc Pollo letër ambasadorit gjerman: Shqyrtoni aktivitetin e Acromax


Ish-deputeti Genc Pollo, i është drejtuar me një letër Ambasadorit të Gjermanisë në Tiranë, ku i shpreh shqetësimin lidhur me aktivitetin në dëm të lirisë së shprehjes, të kompanisë Acromax, e regjistruar në Hamburg. Pollo sjell rastin e tij konkret se si ka ndërhyrë kjo kompani në censurimin e një qëndrimi. Po ashtu, ai sjell në vemendje, edhe ankesa të tjera dhe denoncime që janë bërë lidhur me aktivitetin e kësaj zyre, të lidhur me qeverinë.

Më poshtë, letra e plotë:

I nderuar zoti Ambasador,

Lënda: Shqetësim për kufizimin e lirisë së medias nga Acromax GmbH

( teksti i letrës që ish deputeti i PD Genc Pollo i drejtoi më 16 qershor ambasadorit gjerman në Tiranë Peter Zingraf)

Shpresoj që kjo letër t’ju gjejë mirë me shëndet dhe uroj që tok me familjen e kolegët të keni kaluar mirë gjatë kohës së epidemisë covid-19.

Po ju shkruaj lidhur me një incident me një kompani të regjistruar në Gjermani. Të mërkurën, më 10 qershor një video e postuar prej meje në rrjetin social Instagram u bllokua nga Acromax GmbH, një kompani me seli në Hamburg. Video tregonte dy deklarata të kryeministrit tonë z.Rama para kamerave. E para e dt. 13 prill 2020 e transmetuar në ERTV e tij në Facebook dhe e dyta e dt. 4 qershor e dhënë në një talkshoë të një një televizioni privat. Në të dyja deklaratat bëhet fjalë për paketën e tretë të ndihmës ekonomike dhe ato duken kundërthënëse. Në praktikën më të mirë europiane dhe ndërkombëtare ekstrakte nga intervistat e politikanëve për shkak të nevojës së ballafaqimit demokratik konsiderohen si domen publik. Prandaj, ndërhyrja e Acromaxit shumëkujt mund t’i duket e çuditshme.

Tre ditë mbas bllokimit, ndërkohë që mediat online e kishin raportuar këtë incident dhe kjo ishte debatuar në rrjetet sociale, Instagrami më njoftoi se video ime ishte zhbllokuar. Në fakt nuk do t’i kushtoja vëmendje këtij incidenti bizar e aq më pak t’u shkruaja Ju për të. Por ama prej vitit të shkuar janë shtuar sinjalizimet se Acromax, pronarët e së cilës kanë lidhje me partinë në pushtet, veprojnë sistematikisht në internet kundër videove që paraqesin kritika ndaj qeverisë. Ëebsiti gjerman për lirinë digjitale netzpolitik.org raportonte në 19 mars 2020 si vijon: Acromax raporton tek platformat si Facebook gjoja shkelje të së drejtës së autorit dhe në këtë mënyrë zhduk nga interneti artikuj gazetareskë. Kjo kompani hamburgase punon ndër të tjera edhe për partinë që ka pushtetin në Shqipëri. Organizata Reporterët pa Kufij konsideron se kjo është një përpjekje për t’i mbyllur gojën gazetarisë së pavarur”.

Blogu i njohur anticorruptionblog.com në një artikull të 1 qershorit 2020 shkruante se: “drejtuesit e Shqipërisë kanë ndërmarrë tentativa klandestine për të sulmuar shoqërinë civile e gazetarët. Një skemë dinake involvon Acromax, një kompani gjermane për të drejtat digjitale, pronë e dy shqiptarëve që kanë lidhje të ngushta me PS në pushtet. Acromax ka kontrata me 95% të televizioneve të Shqipërisë e plotfuqi për të vepruar kundër gjoja shkelje të së drejtës së autorit”; ai sugjeron që sa më lart të sillet në vëmendjen e Ministrisë së Punëve të Jashtëme gjermane pasi Gjermania është donator, investitor dhe kampion i demokracisë e i lirisë së medias.

Në këtë kuptim do t’Ju lutesha që tok me autoritetet përgjegjëse gjermane të shqyrtoni se çfarë mund të bëhet në mënyrë që oazi i fundit i lirisë së mendimit e i medias tek ne të mos kufizohet më tej nga paudhësitë e Acromaxit.

Për gjendjen e lirisë së medias në Shqipëri nuk kam nevojë t’ju dëftoj më tej. Edhe sikur ligjet antifjalë të dhjetorit të anulloheshin, raportet si ato të Reporterëve pa Kufij apo të OSBE/ODIHR japin një pamje të zymtë. Prandaj duket se veprimi në rastin Acromax është i nevojshëm e urgjent.

Me respekt

Genc Pollo

Ish ministër e deputet