Hapen aeroportet në Selanik dhe Athinë/ Greqia mirëpret vizitorët e huaj, rinis turizmin veror


Featured image of article: Hapen aeroportet në Selanik dhe Athinë/ Greqia mirëpret vizitorët e huaj, rinis turizmin veror

GREQI– Greqia është një ndër vendet që ka punuar prej muajsh për një strategji të mirëmenduar të rihapjes së vendit, si dhe për mirëpritjen e turistëve të huaj.

Pas uljes së rasteve të reja dhe numrit të viktimave në Greqi ka nisur sezoni  turistik, ndërsa kryeministri i vendit ka bëri thirrje ditën e djeshme se Greqia është një ndër destinacionet më të sigurta nga Covid-19.

Mediat vendase kanë shkruar ditën e sotme se hotelet dhe plazhet po përpiqen të tërheqin vizitorë, ndërsa aeroportet kryesore të Greqisë në Athinë dhe Selanik, janë rihapur për ardhjen e turistëve nga 29 shtete.

“Ne po përpiqemi të plotësojmë masat që qeveria ka vendosur. Nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë për ne dhe për ata që do të vijnë. Por duhet të ndjehemi të sigurt se do të mbetemi në shëndet të plotë, vizitorë dhe banorë vendas”.– thonë bizneset në Greqi.

Në këtë mënyrë shteti fqinj ka rihapur kufijtë për shumicën e turistëve evropianë, por edhe për ata nga disa pjesë të tjera të botës, përfshirë Australinë, Japoninë dhe Zelandën e Re. Megjithatë  kryeministri grek deklaroi dje se kushdo që vjen nga një rajon i goditur rëndë nga virusi, duhet ti nënshtrohet testeve të detyrueshme dhe të kalojë natën e parë në tokë greke në një hotel të paracaktuar.

Për ata që i janë drejtuar plazheve të Korfuzit apo Kretës, një fluturim i brendshëm apo traget, do të jetë në rend të ditës. Lidhjet detare me Italinë dhe kufijtë tokësorë u rihapën të hënën. Në të gjithë vendin, turistët do të kenë tani akses në të gjithë margaritarët turistikë të Greqisë, përfshirë sajtet arkeologjike dhe muzetë. Por ndërsa kinematë e hapura, klubet e natës dhe tavernat janë hapur tashmë, e çadrat e diellit dhe shezllonët duhet të qëndrojnë në distancë nga njëra tjetra, ka edhe disa probleme. Buffetë janë jashtë menusë në hotele.

Kujtojmë se turizmi punëson rreth 700,000 njerëz dhe përbën rreth 20% të prodhimit ekonomik të Greqisë, kështu që tarifat e këtij sektori janë të rëndësishme për rimëkëmbjen e vendit. Greqia doli nga një krizë dhjetëvjeçare e borxhit dy vjet më parë.

Rreth 33 milion turistë vizituan Greqinë një vit më parë, duke gjeneruar të ardhura prej 19 miliardë eurosh.

Burimi:  Ekathimerini