Ndahet nga jeta në moshën 71-vjeçare akademiku dhe shkrimtari Moikom Zeqo


Mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare në banesën e tij në Tiranë akademiku i njohur Moikom Zeqo.

Mësohet se ai vuante prej kohësh nga sëmundja e leuçemisë akute.

Zeqo ka qenë një nga pacientët kronikë të QSUT, pasi kishte disa vite që luftonte me këtë sëmundje të rëndë.

Moikom Zeqo është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto dhe gjermanisht.

Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë.  Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.

Zeqo mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Moikom Zeqo njihet sot një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe.