DIGITALB në vështirësi financiare, FSHF i bllokon transmetimin dhe kërkon lekët.


Një njoftim i papritur ka mbërritur në zyrat e DIGITALB dhe SuperSport nga kreu i FSHF-së Armand Duka, i cili u ka bërë me dije drejtuesve të këtij grupi mediatik se nuk kanë të drejtë të transmetojnë ndeshjet e kategorisë Superiore në vazhdim nëse nuk shlyejnë detyrimet e kontratës.

Vështirësive financiare të DIGITALB të muajve të fundit u është shtuar dhe heqja e të drejtës së transmetimit të ndeshjeve nga FSHF-ja.

Në ditët e para të vitit 2020, newsbomb.al publikoi ekskluzivisht vendimin e Gjykatës së Tiranës që urdhëronte sekuestrimin e një pjese të shumicës së aksioneve të pronares Vjollca Hoxha dhe kalimin e tyre te bosët e vërtetë, të lëna me qira gjatë gjithë kësaj periudhe. Bëhet fjalë për Armand Dukën, Saimir Manen, Agim Zeqon, Aleksandër Frangajn dhe Edmond Lekën, të cilët me vendim gjykate kanë arritur të rimarrin aksionet, duke bërë që Vjollca Hoxha të bjerë me 42 përqind dhe të humbë kështu maxhorancën e vendimmarrjes.

Pronarja e rrjetit “Top Media” humbi betejën e saj për të mbajtur “nën kontroll” DIGITALB, pavarësisht tentativës për të bllokuar shitjen e aksioneve të kësaj shoqërie te ish-aksionerët e shoqërisë Supersport, raporton newsbomb.al.

Ndërkohë, prej ditësh punonjësit e DIGITALB kanë mbetur pa para për shkak të përplasjeve mes drejtuesve dhe aksionerëve të tjerë. Por kriza nuk ka prekur vetëm punonjësit. Edhe kompanitë e tjera të lidhura me DIGITALB kanë mbetur pa para sepse kjo e fundit nuk ka shlyer detyrimet kundrejt tyre, raporton newsbomb.al.

Në këtë betejë del në skenë sërish dhe Aleksandër Frangaj, pronar i TV Klan.

Ky i fundit është akuzuar se ka bllokuar pagesat e punonjësve të DIGITABL, por me një reagim së fundmi pronari i TV Klan i ka hedhur poshtë këto akuza. Alelsandër Frangaj ka akuzuar drejtpërdrejt Ben Blushin dhe Vjollca Hoxhën se kanë urdhëruar Drejtorinë e Financës që në llogaritë e punonjësve të mos kalojë “kokërr leku”.

“E deklaroj me përgjegjësi morale e ligjore që bllokimi i pagave të punonjësve prej 13 ditësh është bërë nga bashkë-administratori i kompanisë, i propozuar nga aksionerja në minorancë, Vjollca Hoxha, e shtyrë nga interesi i Ben Blushit për të marrë lekë padrejtësisht për reklama në Top Channel, ku ky i fundit është drejtor.

Nga ana e aksionerëve të mazhorancës është kërkuar të bëhen pagat dhe gjithë pagesat e prapambetura për kompanitë që kanë dërguar ultimatum me ndërprerje shërbimesh. Administratorja e mazhorancës ka dhënë miratim me shkrim, emaile të dërguara financës dhe aksionerëve, që të bëhet pagesa e pagave të stafit të Digitalb në Tiranë dhe Kosovë, pagesa e kampionatit spanjoll, pagesa e kampionatit shqiptar, por bashkë-administratori i zonjës Hoxha ka urdhëruar të mos bëhet asnjë pagesë pa u bërë reklama e Top Channel. Dhe prandaj Digitalb nuk ka transmetuar ndeshjet e kampionatit spanjoll, se kompania ndërkombëtare që i ka këto të drejta, ia ka ndërprerë sinjalin për shkak të mospagesës”, ka thënë Frangaj për Syri Tv.

Gjithashtu, Frangaj ka zbuluar dhe pse FSHF-ja i dërgoi ultimatum DIGITALB për të paguar detyrimet. Sipas tij, prej gati 2 vjetësh DIGITALB dhe SuperSport nuk kanë paguar asnjë detyrim kundrejt Federatës Shqiptare të Futbollit, raporton newsbomb.al.

E gjendur në këtë situatë, FSHF-ja ashtu si kompania ndërkombëtare që ka të drejtën e televizive për kampionatin spanjoll “kërcënon” DIGITALB e SuperSport të shlyejnë detyrimet kontraktuale të prapambetura ose në të kundërt do t’ju hiqet e drejta e transmetimit të ndeshjeve të kategorisë Superiore.

Tifozët e Superiores të cilët për shkak të covid-19 mënyrë të vetme për të ndjekur ndeshjet kishin televizorin, tashmë duket se kanë mbetur “me sytë nga qielli”. Kjo krizë mes Vjollca Hoxhës dhe aksionerëve të DIGITALB ka futur në kolaps kampionatin e futbollit, i cili nuk mund të transmetohet, tifozët të cilët s’kanë ku të shohin ndeshjet për të cilat kanë paguar abonimet pranë DIGITALB e Supersport dhe kompanitë që kanë kontarata me të. /NEWSBOMB.AL