Lefter Koka: Nuk votoj marrëveshjen e 5 qershorit, mbështes Myslim Murrizi


Një tjetër votë kundër reformës zgjedhore të dalë nga marrrëveshja e këshillit politik me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve më 5 qershor 2020.

Deputeti i pavarur Lefter Koka përmes një postimi në facebook deklaron se “nuk do të marrë mundimin të ngrejë kartonin as për ta votuar e as për ta rrëzuar atë marrëveshje, pasi kjo marrëveshje nuk solli depolitizimin e komisioneve zgjedhore, por veç riciklim të tensionit.”

Ndërkohë del hapur pro nismës së deputetit Myslim Murrizi dhe 28 deputetëve të tjerë për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me listat e hapura dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore
“Uroj vërtet, që të mos jetë si një flakë kashte dhe jam i gatshëm ta mbështes në rast se kjo nismë do të vijë në Kuvend” shkruan Koka.

Postimi i Lefter Kokes

Marrëveshja e partive të mëdha ka zhgënjyer me të drejtë shumë qytetarë, që jo pa arsye prisnin diçka pozitive lidhur me zgjedhjet e ardhshme.
Për hir të vërtetës mē shumë ka zhgënjyer demokratët e thjeshtë, që pas 3 vitesh rrugëve me protesta prisnin largimin e Ramës, dhe jo një marrëveshje të Bashës me Ramën për të mos ndryshuar asgjë!

Po nga ana tjetër edhe elektorati gri është i zhgënjyer , sepse panë se kjo marrëveshje nuk solli depolitizimin e komisioneve zgjedhore, siç me të drejtë ky elektorat priste, por veç riciklim të tensionit.

Personalisht as nuk do të merrja mundimin, të ngrija kartonin as për ta votuar e as për ta rrëzuar atë marrëveshje.
Nisma e re e deputetit Murrizi dhe kolegut Musai krahas të tjerë deputetëve të opozitës parlamentare , më duket shumë më interesante, se sa gjella bajate e gatuar me muaj të tërë nga kolegët Vasili, Bylykbashi, Gjiknuri.
Hapja e listave dhe ndalimi i koalicioneve me shumë parti, që si fëmijët e lagjes fshihen pas të madhit, shkojnë në drejtimin e duhur për reformimin e politikës.

Përshëndes deputetin Murrizi dhe kolegun Musai , bashkë me kolegët e tjerë për sfidën e hapur ndaj statukuosë që ka zhgënjyer thellë qytetarët shqiptarë.

Uroj vërtet, që të mos jetë si një flakë kashte dhe jam i gatshëm ta mbështes në rast se kjo nismë do të vijë në Kuvend.

Përndryshe për marrëveshjen për t’i lënë gjërat siç janë , garantoj qytetarët se nuk do të lodhem të ngre kartonin, as për pro e as për kundër.