Prania ushtarake e SHBA në Gjermani dhe e ardhmja e saj


U.S. soldiers

Presidenti Donald Trump ka urdhëruar ushtrinë amerikane që të largojë 9,500 trupa nga Gjermania, gjë që do ta reduktonte kontigjentin e saj në Gjermani në 25,000.

Ja disa fakte për këtë kontigjent:

– Prania ushtarake amerikane vazhdon që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, kur Gjermania u mbajt e pushtuar nga trupat aleate, nga viti 1945 deri në 1955. Në atë kohë, disa miliona trupa amerikane, britanike, franceze dhe sovjetike u vendosën brenda Gjermanisë. Trupat amerikane ishin përqendruar në jug.

– Më 25 qershor 1948, gjenerali Lucius D. Clay, që përgjigjej për zonën amerikane të pushtimit në Gjermani dha urdhër për furnizimin e Berlinit me anë të ajrit, në përgjigje të bllokadës sovjetike të Berlinit Perëndimor, që përfshinte sektorët e qytetit të pushtuar nga Aleatët Perëndimorë. Bllokada u hoq në 12 maj 1949.

– Konventa për praninë e forcave të huaja në Republikën Federale të Gjermanisë, e nënshkruar në vitin 1954, lejoi tetë vende të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për të stacionuar forca në Gjermaninë Perëndimore, pas përfundimit të pushtimit aleat.

– Elvis Presley u dërgua në Gjermaninë Perëndimore nga viti 1958 në 1960

gjatë shërbimit të tij ushtarak. Në fund të viteve 1980, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shërbeu si ushtar në Gjermaninë Jugore, për të patrulluar kufirin e fortifikuar midis Gjermanisë Perëndimore dhe Lindore, pjesë e Perdes së Hekurt, që ndante Evropën Lindore komuniste nga Perëndimi.

– Që nga rënia e Murit të Berlinit në 1989, numri i trupave amerikane në Gjermani është zvogëluar në mënyrë të vazhdueshme, nga rreth 200,000 që ka qenë, por ato përgjithësisht kanë qenë gjithmonë të mirëpritura në mesin e gjermanëve.

– Qendra Mjekësore Rajonale Landstuhl, ngjitur me Bazën Ajrore Ramstein, në jug-perëndim të Frankfurtit, është spitali ushtarak më i madh amerikan jashtë Shteteve të Bashkuara.

– Komanda Evropiane e SHBA me seli në Shtutgart, koordinon forcat amerikane në 51 vende, kryesisht evropiane.

– Partia gjermane SPD tha në vitin 2017 se donte tërheqjen nga territori gjerman të armëve bërthamore amerikane, për të cilat shumë gjermanë kanë rezerva. Shtetet e Bashkuara nuk kanë pranuar ta konfirmojnë ose mohojnë praninë e tyre.VOA