Kushtoi 1 miliard lekë, përmbytet 5 ditë nga inaugurimi Parku Rinia


Rehabilitimi i Parkut Rinia ishte një nga shpenzimet e fundit marramendëse të Bashkisë së Tiranës dhe që u prezantua (si çdo herë) me pompozitet nga kreu i saj Erion Veliaj. Në 1 qershor nuk munguan aty kamerat, fotografët dhe dronët për të shpërndarë në media pamje që ngjasonin me kopshtet e Parisit.

Gjithë ky investim ka kushtuar jo pak, por gati 1 miliard lekë. Ky investim me shumë mundësi do të shkatërrohet më vonë pasi aty është premtuar një parkim nëntokësor. Parku nuk pati ndonjë transformim përveç ngritjes së disa kodrave, bari i të cilave nuk mbiu siç pritej dhe që firma u detyrua të vendoste bar artificial.

Të shumta kanë qenë edhe kritikat për tenderin se si ai u zhvillua, por kjo e shtunë nxori në pah punët e vërteta të Lalit në Tiranë. Është dashur vetëm 30 minuta shi që Parku Rinia ti ngjasojë Venecias. Gjithçka u kthye në kodra dhe kanale me ujë dhe baltë. Në rrjetet sociale kanë vërshuar video dhe foto ndërsa nuk mungojnë edhe ironitë me pamjen e re të “Parkut 1-miliard lekësh”. ©LAPSI.al