Shqetësim për rritje të rasteve të Covid-19 mes protestave në SHBA


Ndërsa turmat e mëdha mblidhen mes protestave në Shtetet e Bashkuara, shqetësimi po rritet se koronavirusi do të përhapet, duke krijuar më shumë vatra të infeksionit ndërsa shtetet rihapin ekonomitë e tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh foli me disa ekspertë mjekësorë në Ilinoi, ku trazirat civile dhe protestat detyruan mbylljen e qendrave të testimit për koronavirusin në disa komunitete, duke penguar më tej përpjekjet për të monitoruar përhapjen e virusit.

Ndërsa ndiqte përhapjen e trazirave në të gjithë Shtetet e Bashkuara, nën vetëizolim nga zyra në shtëpinë e tij në Çikago, drejtori i Institutit për Shëndetin Global në Universitetin Northwestern, Dr. Robert Murphy, filloi të pyeste nëse të gjithë kishin harruar papritmas se vendi po përballej me një pandemi të rrezikshme.

“Covid nuk interesohet për politikën. Thjesht i pëlqen të kërcejë nga një person në tjetrin. Kështu që ju po e rrezikoni veten.”

Ishte një mesazh që kryebashkiakia e Çikagos, Lori Lightfoot, i bëri jehonë në fjalimin e saj të përditshëm para publikut, në ditën që ajo shpjegoi planet për të lehtësuar masat kufizuese në qytet, pavarësisht vazhdimit të protestave.

“Ky rrezik është real. Ai është i pranishëm. Dhe do të jetë me ne për një të ardhme të parashikueshme. Ju duhet të merrni masat paraprake jo vetëm për të mbrojtur veten, por edhe të tjerët në rrethin tuaj, në shtëpinë tuaj, sepse tani jeni në rrezik të lartë nga infektimi me Covid-19”.

“Kjo po na kthen mbrapa. Pra, në vend që të jemi në gjendje të kontrollojmë virusin, siç kishim shpresuar, tani ai do të qëndrojë në të njejtin nivel, ose do të përhapet pak më shumë, si do që të jetë, kjo po e shtyn periudhën e kontrollimit të virusit”, tha Dr. Murphy.

Rreziku i rritjes së dhunës dhe shkatërrimit bëri që Departamenti i Shëndetit Publik në Ilinoi të mbyllte përkohësisht objektet e testimit për Covid-19 në komunitete, duke vonuar njoftimet për rezultatet pozitive të testimeve dhe duke ndërprerë aftësinë e komunitetit mjekësor për të monitoruar përhapjen e virusit.

“Padyshim që do të ulet numri i rasteve (të raportuara) sepse ne nuk po testojmë aq shumë njerëz. Njerëzit kanë frikë të dalin. Ju nuk mund të shkoni afër qendrës së qytetit. Ka vatra të përhapjes së virusit në të gjithë qytetin. Njerëzit po qëndrojnë në shtëpi tani më shumë se kurrë”, tha Dr. Murphy.

Kur të pushojnë protestat, Profesori i Asociuar i Sëmundjeve Infektive në Universitetin Rush, Dr. Michael Lin tha se niveli i rasteve pozitive nga testimet ka të ngjarë të kthehet në shkallën para protestës ose më lartë, por nuk do ta mësojmë menjëherë ndikimin e traziratve të fundit në Shtetet e Bashkuara në përhapjen e virusit.

“Nëse ka ndonjë rritje të rasteve, mund të ndodhë diku rreth një javë ose dy javë pas tubimeve. Kjo është zakonisht koha kur njerëzit e infektuar fillojnë të tregojnë simptoma dhe sëmuren rëndë, deri në pikën e shtrimit në spital.”

Por Dr. Lin thotë se përhapja e virusit mund të jetë e kufizuar midis protestuesve.

“Të jesh jashtë në mjedise të hapura në vend se të jesh i mbyllur, në fakt mund të jetë e favorshme nga pikëpamja e kontrollit të infeksionit. Ne e dimë që ka më shumë prirje për përhapje të virusit në zona të mbyllura me qarkullim jo të mirë të ajrit. Në mjediset e hapura, jashtë objekteve, ku ka një qarkullim të mirë të ajrit, mund të ketë më pak rrezik të përhapjes së virusit. Me daljen e diellit, rrezet ultraviolet në fakt mund të vrasin virusin. Por kur bëhet fjalë për transmetimin e sëmundjes, është vërtet e vështirë të parashikosh.”

Videot e protestuesve tregojnë përdorim të gjerë, por jo universal të maskave që mund të kufizojnë shpërthimin e mikrobeve në ajër.

“Kjo funksionon vetëm nëse të gjithë përdorin maska”, thotë dr. Murphy.

Ndërsa numri i rasteve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara i afrohet dy milionshit, disa amerikanë po balancojnë rrezikun shëndetësor me ushtrimin e të drejtës së tyre për të protestuar. Ndërkohë, sondazhet vazhdojnë të tregojnë se një shumicë e qartë, vazhdojnë ta shohin si përparësi frenimin e koronavirusit.VOA