SHBA, qytetet zbusin ndalim-qarkullimet


DC Protests

Në Shtetet e Bashkuara, protestuesit mirëpritën vendimin e prokurorëve në shtetin e Minesotës për të ngritur akuza ndaj tre policëve të tjerë në lidhje me vdekjen në arrest policor të George Floydit.

Ndërkaq, kudo në vend kanë vazhduar demonstratat kundër sjelljes së policisë dhe për reforma domethënëse.

Mbrëmë, protestat në shumë qytete ishin përsëri paqësore në shumicën e tyre. Në Uashington, disa mijëra njerëz protestuan jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe Kapitolit, dhe marshuan në Bulevardin Pensilvenia, ndërsa trupat e Gardës Kombëtare, policia dhe personeli i disa agjencive federale qëndronin në gatishmëri.

Kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit Muriel Bowser zbuti ndalimqarkullimin, duke e filluar atë në orën 23:00 të mbrëmjes dhe jo në 19:00 siç ishte më parë.

Shefi i policisë së Detroitit tha se oficerët nuk do të pengonin askënd të marshonte paqësisht pasi të fillonte ndalimqarkullimi, ndërsa kryebashkiakja e qytetit Seattle, Jenny Durkan anuloi urdhrin për orën policore që duhej të zgjaste deri të shtunën.

Kryetari i bashkisë së San Franciskos London Breed dhe ai i Los Angelesit Eric Garcetti thanë se do t’i jepnin fund ndalimqarkullimit të enjten.

Garcetti iu përgjigj kërkesave të protestuesve për të shkurtuar buxhetin e departamentit të policisë, duke njoftuar se ai do të përdorë miliona dollarët e kursyer për projekte shëndetësie dhe arsimi në favor të komunitetit afrikano-amerikan.

Ai njoftoi gjithashtu reforma në sistemin e policisë së qytetit.