Shfrytëzimi i lumit Vjosa, banorët e Hambarit në Fier: Po bëhet masakër mjedisore


Banorët e zonës së Hambarit në Fier denoncojnë shfrytëzimin sipas tyre pa kriter të lumit Vjosa. Ata thonë se firma po shkakton aty masakër mjedisore, që veç lumit po u rrezikon shtëpitë.

Inertet që nxirren në këtë pjesë të lumit Vjosa thuhet se shkojnë për ndërtimin e by passit të Fierit.

“Ne vuajmë nga këta, këta janë Covidi. Këta zotërinj po na nxjerrin nga shtëpitë tona.”

Por banorët e fshatit Hambar thonë se aty po ndodh një masakër mjedisore.

Sipas tyre lumi Vjosa po shfrytëzohet pa kriter duke u rrezikuar tokat dhe shtëpitë.

Shfrytëzimi i Vjosës, thonë se ka nisur rreth dy vjet më parë. Firma që punon aty u ka thënë se ka leje, por sipas tyre shfrytëzimi është agresiv dhe kërcënues për ta.

“Tokat na mbyten, lumi na vjen te shtëpia. Rrezikojmë shumë.”

Denoncimi i situatës ka qenë i vazhdueshëm, por ata e kanë sjellë atë në qendër të vëmendjes edhe një herë këto ditë kur ka nisur një aksion kombëtar kundër krimit mjedisor.

Në rast se nuk marrin zgjidhje, thonë se do të mendojnë largimin.

“Do të marr prindërit dhe gjyshërit e mi, do mbush dy qese me kocka dhe do ti çoj në Greqi.”

Lejet për shfrytëzimin e lumenjve jepen nga Këshillat e Baseneve Ujore, me koordinata dhe sasi të përcaktuara./ ora