Askush nuk e ka shkatërruar vendin, historinë dhe identitetin e tij, përveç rilindasve talebanë


Nga Ilir ALLKJA

Një miku im më pyeti se përse isha aq i pezmatuar nga shembja e Teatrit Kombëtar, ndërkohë që vendi ka plot halle si papunësi, varfëri, korrupsion etj…

Unë po spjegoj për ndjekësit e mij arsyet personale përse më dhemb aq shumë shembja e Teatrit Kombëtar.

Kur isha fëmijë mezi prisja të premten mbrëma për të parë “Teatri-n në Ekran”, e aty nuk kishte vetem shfaqje të realizmit socialist por edhe vepra të dramaturgëve më të mëdhenj të botës së lirë.

Kur erdha në Tiranë në vitet ’80 argëtimi i vetëm në fundjavë ishin kinematë, të cilat Edi Rama i ka shembur e ka ngritur pallate në vend të tyre dhe Teatri, ku artistët e kohës performornin nga dramat e Shekspirit deri tek komeditë e Servantesit.

Të hënën paradite studentët më krenar ishin ata që kishin qenë në Teatër, dhe kjo ishte plotësisht e ligjshme.

Arsye tjetër madhore e zemërimit tim ndaj pushtetit të rilindjes është shkaterrimi i historisë së Tiranës.

Unë në Tiranë kam kaluar rininë, dhe vërej me trishtim se nuk gjej kujtimet e mija, rrugët e sheshet janë ndryshuar, shtëpitë, atraksionet, godinat e vjetra janë shembur!
Kjo nuk ka ndodhur askund në botën e qytetëruar.

Në Durrës pothuaj jam rritur, e mua më dhemb shumë shkatërrimi i tij.

Në dhejtor të 2015 më bëri përshtypje një çezmë e thjeshtë në Seville, e cila ruhej në mes të qytetit që nga viti 1927, ndërsa rilindasit shkaterruan shatrivanin e mrekullueshëm që datonte po vitin 1927.

E pra miku im, unë kam shëtitur në plot vende nga Stambolli e deri në Cadiz, nga Budapesti deri në Bruksel e askush nuk e ka shkatërruar vendin, historinë dhe identitetin e tij, përveç rilindasve talebanë të Shqipërisë.

Ti më thua “ka qenë teater i komunistëve”, ndërkohë që Teatri ishte vepër evropiane, projektuar e ndërtuar nga italianët, megjithatë, unë po të tregoj se kam ndenjur me orë të tëra në radhë për të vizituar Altare delle Patria, vepër e Mussolinit, dhe ja vlente të prisje po aq sa për muzeun e Vatikanit.

Unë do të doja që të ruhej i paprekur edhe burgu i Spaçit, si kujtesë e hidhur historike. Jam i sigurtë që do t’ju vlente brezave !

Shkatërrimi i historisë nga talebanët rilindas ka vetëm një qëllim: shuarjen e identitetit kombëtar !

Në themel të komunizmit si filozofi qëndron shembja, e gjeni të shprehur në hartimin e Qemal Stafës, bashkëpunëtor i afërt me Enver Hoxhën : “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë. Nji jetë e re po lulëzon gërmadhash”

Një vend pa të shkuar nuk mund të ketë të ardhme, e nëqoftëse kjo për shumëkënd nuk ka problem, mua më dhemb, më vret !