Pse keshtu o shkrimtar…..


Kadare: Quasi-Nobelisti i paditur

“Unë nuk e di ç’është pluralizmi,” – i tha Kadare moshëmesëm Ramiz Alisë, dikur në një takim në Lidhjen e Shkrimtarëve në vitin 1990, pra në nisje
të ciklit të Lëvizjes për Demokraci.
“Nuk jam shumë në dijeni. Ju lutem mos më ngatërroni”, – i tha së fundi Kadare, tashmë në moshë të shtyrë, TVT-së, kur iu kërkua një prononcim për ngjarjet në Shqipëri në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar dhe ngjarjet shoqëruese.
Pra në 30 vjet, shkrimtari ynë më i mirë, Ismail Kadare, kandidat i disahershëm për çmimin Nobel në letërsi dhe fitues i kushedi sa dekoratave nga regjimi komunist dhe çmimesh ndërkombëtare, ka mbetur
një i paditur. Po, po, është i paditur kur vjen puna për
të dhënë apo gjetur një mendim në lidhje me demokracinë në Shqipëri. E nëse në vitet ’90 ai planifikonte “arratisjen” dhe ndoshta nuk donte të ekspozohej, prandaj nuk e dinte ç’ishte pluralizimi;
në vitet’20 arsyeja e tij është qesharake: “Nuk kam mundësi se nuk jam ndjerë mirë”.
Me siguri shkrimtari është ndjerë mirë kur me taksat e shqiptarëve i restauruan shtëpinë e tij në Gjirokastër. Apo kur me taksat e qytetarëve të Tiranës Erjon Veliaj shndërroi në shtëpi muze apartamentin e tij në qendër të Tiranës. Shkrimtari ishte shumë mirë në dijeni në vitin 2011 tek mori guximin të shkruante letra publike për kandidatin për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, e t’i kërkonte që ky të tërhiqej në favor të kryeministrit aktual, Edi Rama. Shkrimtari ishte edhe më shumë në dijeni kur z. Aleksandër Lleshi, ministrin aktual të brendshëm, dorën e zgjatur të dhunës diktatoriale të Ramës, ia shiste këtij të fundit si ushtarak intelektual, me të njëjtën lehtësi e shpejtësi siç shet edhe romanet e tij.
Por, shkrimtari Quasi-Nobelist, Kadare, asnjëherë nuk është në dijeni kur vjen puna për çështje madhore të demokracisë së shqiptarëve, që aq shumë e kanë lexuar, dhe të vendit të tij Shqipërisë, që aq shumë e ka paguar famën e tij.
Kot nuk thonë gjithnjë ka kohë të turpërohesh. Por të paktën mos u turpëro në mënyrë kaq pak dinjitoze, duke nxjerrë si arsye se je i sëmurë? Kjo është një arsye që me shumicë e konsumonin nxënësit katranjosë për t’i shpëtuar katrës së radhës kur ngriheshin në mësim. Nuk është një arsye për shkrimtarë.
Pse kështu o shkrimtar….

Ylli Dylgjeri